
Kundërshtia e opozitës për formulën e re të KQZ, duket se është arsyeja pse kjo pikë nuk ishte në draftin e fundit të ekspertëve. Gjithashtu arsyeja pse anëtaret e opozitës parlamentare bojkotuan mbledhjen e komisionit të reformës zgjedhore pasditen e së hënës, ku duhej të diskutohej ky draft. I kontaktuar nga A2 deputeti Ralf Gjoni konfirmon ketë gjë.
"Ne kemi patur disa propozime që duhet të diskutohen në komision por PS refuzon. Ne duam depolitizim të administratës por jo në formatin që propozohet. Duam debat dhe diskutim për sistemin ku të elaborohet sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura", thotë Gjoni.
Ndërkohë që nuk ka një datë për mbledhjen e radhës së komisionit, mundësia e bojkotit të opozitës parlamentare duket se nuk është e panjohur për bashkëkryetarin e komisionit Gjiknuri.
"Sot nuk u bë kuorumi i mbledhjes sepse disa anëtarë nuk erdhën dhe bashkëkryetarja nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Puna vazhdon. Do të kemi njoftime për mbledhjen e radhës. Shpresoj që të mos jetë ngërç dhe bojkot. Ne presim mirëpresim partitë e opozitës parlamentare me një propozim. Shumë shpejt do të kemi njoftimin për mbledhjen e radhës,” deklaroi Gjiknuri.
Ndërkohë për opozitën edhe puna e ekspertëve ka probleme. "Ekspertët janë në funksion të dakordësisë politike të komisionit jo vice-versa. Këta e fillojnë nga bishti. U thonë eksperteve sillni këtë lloj drafti dhe na thonë ne tani hajde diskutojmë mbi këtë propozim. JO! Duhet ne si fillim të biem dakord se ca sistemi e administrate duam dhe pastaj t’u kërkojmë ekspertëve të kopsitim kostumin nga ana ligjore" theksoi Gjoni.
Rreth një muaj më parë varianti i përzgjedhur nga ekspertët për depolitizimin e administratës zgjedhore, përkrahur nga mazhoranca, ishte një KQZ me 3 nivele. Në krye të saj do të ishte komisioneri zgjedhor i cili do të drejtonte tërë procesin. (A2 Televizion)