Basha në Bulevard: Koronavirusi asgjë përballë "Ramavirusit", të gjithë sonte në rrugë

Nga A2 CNN
17 Maj 2020, 17:31 | Politikë
Basha në Bulevard: Koronavirusi asgjë përballë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u ulën këmbëkryq në zonën e bulevardit "Dëshmorët e Kombit", përballë Galerisë së Arteve, në shenjë proteste për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Prania ime dhe e opozitës këtu është detyrë. Ata që kryejnë dhunë barbare do marrin përgjigjen e merituar. As do të harrohen, as do të falen. Do të vazhdojmë me protestë”, u shpreh Basha.

Për Bashën, që sot e tutje “duhet të njihet vetëm një e drejtë, e drejta për të protestuar ndaj këtyre palaçove”.

Sipas kryedemokratit, “Ky regjim nuk njeh ligj, por vetëm përballje, kush nuk  e kupton është patericë e saj”. Lideri demokrat i bëri apel të gjithë qytetarëve të kryeqytetit dhe veçanërisht të rinjve “të vërshojnë sot në rrugët e Tiranës”.

Basha u bëri thirrje qytetarëve që të "derdhen" në rrugë sot. Kur iu vu në dukje nga A2 se jemi në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të Covid-19, Basha u përgjigj: "Asgjë nuk është koronavirusi para Ramavirusit".

Së bashku me Bashën dhe Kryemadhin, në rrugë u ulën edhe krerë të tjerë të partive të opozitës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos