
Ambasada Amerikane vijoi të shpjegojë Reformën në Drejtësi përmes videove që publikon në mediat e saj sociale.
Pas vetting-ut dhe Gjykatës Kushtetuese, selia diplomatike e SHBA është fokusuar këtë herë te SPAK-u, Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Në video shpjegohet se ky organ do të jetë i pavarur dhe jo i politizuar, si dhe do të ndjekë penalisht rastet e korrupsionit në nivelet më të larta, duke përfshirë zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët.
Ambasada Amerikane shpjegon se për të parandaluar kapjen e prokurorëve të SPAK-ut, ata do t'i nënshtrohen monitorimit të vazhdueshëm të financave dhe telefonave të tyre.
Amerikanët nënvizojnë se Kushtetuta i jep SPAK-ut fuqinë dhe pavarësinë për t'iu kundërvënë korrupsionit të nivelit të lartë dhe kjo do të thotë se të paprekshmit nuk mund ta ndryshojnë atë.
Ambasada e SHBA-së përfundon videon duke garantuar se me SPAK-un askush nuk do të jetë mbi ligjin, askush nuk do të jetë i paprekshëm dhe i gjithë vendi do të përfitojë nga kjo. (A2 Televizion)