Osmani mban fjalimin vjetor: Veriu, sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2022, 11:58 | Kosova
Osmani mban fjalimin vjetor: Veriu, sfidë për shkak të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se veriu i Kosovës vazhdon të jetë një sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë.

Në fjalimin vjetor para ligjvënësve, ajo e cilësoi si ide hegjemoniste kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, ndërsa u zotua se do të garantojnë sigurinë për qytetarët në veri.

“Ideja hegjemoniste e Serbisë për vendosjen e trupave në Kosovë ka marrë fund më 12 qershor të 1999-s, ditën kur kanë hyrë trupat paqeruajtëse të NATO-s. Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiç e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund më 12 qershor 1999. Më 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste të Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i Millosheviçit.”

Vjosa Osmani

Osmani tha se veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë sfidë, për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë. Ajo u zotua se institucionet janë të vendosura për të ofruar siguri për qytetarët që jetojnë në këtë pjesë, teksa tha se “bandave kriminale” nuk po u pëlqen vendosmëria për sundimin e ligjit.

“Sundimi i ligjit është esencial për funksionimin e çdo shtylle të shtetit. Në fakt është parakusht për një gjë të tillë. Por, siç e dini, të nderuar deputetë, veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale. Por, ne jemi të vendosur që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit të vendit tonë. Bandat kriminale nuk mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovë.”

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës theksoi gjithashtu se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë, që sipas saj do të ishte garanci për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos