
Me nderimet më të larta shtetërore, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti homologun nga Maqedonia e Veriut, Stevo Pendarovski. Pas takimit, ata dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Iniciativa rajonale e Ballkanit të Hapur ishte pjesë e diskutimit të tyre. Skepticizmi për këtë nismë nuk mungoi.
“Kosova ka rezerva të mëdha sa i përket aspekteve politike të kësaj iniciative, por edhe sa i përket ekonomisë e sigurisë sepse synimi është të përdoret njëfarë paradhome që të zvarritet procesi i integrimit evropian”, u shpreh Osmani.
“Dua të rikujtoj se kur nisi si iniciativë në vitin 2019, unë isha politikani i parë që shpreha rezerva. Kësaj iniciative i mungon diçka, në vend që të jenë të gjashtë shtetet, janë vetëm tre. Derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjitha shtetet e rajonit nuk do të ketë sukses”, tha Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut.
Osmani akuzoi Rusinë se po destabilizon Ballkanin Perëndimor, përmes Serbisë. “Kosova dhe rajoni ynë akoma ballafaqohet me rreziqe të mëdha në fushën e sigurisë me tendencat destabilizuese të Rusisë nëpërmjet Serbisë dhe si Republikë e Kosovës jemi të përkushtuar në mënyrë që jo vetëm të refuzojmë ndikimet e tilla dashakeqe, por do të punojmë me të gjithë partnerët tanë perëndimorë dhe në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtar në mënyrë që të parandalohen ndikimet e tilla destabilizuese”.
Nga ana tjetër, presidenti i Maqedonisë së Veriut tha se mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe nënvizoi se mbetet zgjidhja e vetme për të pasur stabilitet në rajon. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Pendarovski u takua dhe me kryeministrin, Albin Kurti, dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. (A2 Televizion)