
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mesazhin e saj në samitin për demokraci tha se do të angazhohet për forcimin e sundimit të ligjit. Gjithashtu, lajmëroi zbatimin e sanksioneve për shtetas të huaj të përfshirë në abuzime me të drejtat e njeriut.
“Demokracia nuk është kurrë një projekt i përfunduar apo i kufizuar në kohë. Andaj sot, do të paraqesë zotimet e Kosovës për forcimin dhe zhvillimin e demokracisë sonë për të siguruar që ajo t’i rezistojë kohës. Ne do të forcojmë sundimin e ligjit përmes zbatimit të plotë të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe një procesi të vetingut, i cili do t'i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë. Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm.” (A2 Televizion)