
Bashkimi i dy forcave kryesore opozitare në një marrëveshje politike është faktor kyç që të përballet me mazhorancën në zgjedhje. Pavarësisht kësaj, analistët Ilir Kalemaj dhe Afrim Krasniqi shprehen se pa bashkimin edhe të Partisë Demokratike, përballja me mazhorancën bëhet edhe më e pamundur politikisht.
Konkretizimi i marrëveshjes ndërmjet Sali Berishës dhe Ilir Metës është hapi i domosdoshëm për të unifikuar votën opozitare përballë mazhorancës. Të kësaj qasje janë analistët Afrim Krasniqi dhe Ilir Kalemaj, të cilët shprehen për mikrofonin e A2 CNN se më shumë se sa dëshira, situata politike dhe marrëdhënia midis dy liderëve imponon bashkimin e këtyre dy partive.
“Kjo është një marrëveshje matematike, por aritmetika jo gjithmonë sjell frymën që është faktori kryesor, faktori kyç që opozita të vijë në pushtet”, thekson Kalemaj.
Ndërsa Afrim Krasniqi shprehet: “Midis PD-së dhe PL-së ka shumë pak pika takimi, por midis zotit Berisha dhe zotit Meta ka shumë pika takimi, kështu që është e lehtë që marrëveshjet midis individëve politikë të kalojnë edhe në marrëveshje horizontale. Problemi është a arrin dot kjo marrëveshje t’i bindë militantët dhe qytetarët që të shkojnë të votojnë për kandidatë të përbashkët?”.
Sipas Kalemajt, marrëveshja ishte zgjidhja e vetme: “Në fakt, është e vetmja zgjidhje, është e vetmja mënyrë që opozita të dalë e bashkuar, të paktën në pjesën më të madhe të saj dhe të maksimizojë shanset përballë mazhorancës. Por, kjo nuk është një garanci për një fitore”.
Por, nëse me Partinë e Lirisë tashmë ka një marrëveshje zyrtare, bërja bashkë e linjave brenda Partisë Demokratike shihet si një sfidë më vete, pa të cilën suksesi i opozitës në zgjedhje bëhet edhe më i vështirë.
“Nëse nuk arrin të bashkojë dy grupet në PD, praktikisht do të jetë jofunksionale dhe jo vetëm nuk do të marrë maksimumin, por as një koalicion real të opozitës në zgjedhje”, nënvizon Krasniqi.
Ilir Kalemaj shprehet: “Nëse nuk do të kemi dakordësi mes dy palëve të Partisë Demokratike, opozita do të shkojë drejt një disfate të pritshme elektorale”.
Aksioni opozitar për vendoret 2023 është vënë në krye të agjendës, pasi si rrallë herë në politikën shqiptare, kemi një marrëveshje 7 muaj para datës së zgjedhjeve. (A2 Televizion)