Paga minimale drejt rritjes. Si ndikon te punëmarrësit dhe bizneset?

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2023, 17:28 | Ekonomi
Paga minimale drejt rritjes. Si ndikon te punëmarrësit dhe bizneset?

Rreth 200 mijë të punësuar me pagë minimale në vend mund të marrin më shumë së afërmi.

“Duke filluar nga ata që punojnë me pagë minimale në sektorin privat, sidomos ata në prodhim të cilët duhet të paguhen medoemos më shumë dhe sa më parë”, tha kryeministri Rama.

Rritja e pagës minimale si një masë antikrizë ka dy efekte të drejtpërdrejta. Nga njëra anë qëndron punëmarrësi, të ardhurat e të cilit rriten disi, por nga tjetra biznesi duhet të nxjerrë më shumë nga fitimet e veta.

Nëse aktualisht për një të punësuar me pagë 34 mijë lekë, punëdhënësi paguan 5 mijë e 678 lekë, detyrimet rriten në 6 mijë e 12 lekë nëse paga minimale bëhet 36 mijë lekë. Për një kompani me 10 të punësuar, shpenzimet shtesë për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore do të rriteshin me 40 mijë e 80 lekë në vit.

“Nëse marrim sektorin e fabrikave i ndikon direkt pasi ato nuk mund ta rrisin fare thjesht koston e  produktit të tyre pasi kanë konkurrencë. Pak më e lehtë është për shërbimet të cilat koston shtesë që u lind nga rritja e pagës minimale mund ta transferojnë direkt te konsumatori”, u shpreh pedagogu Mikel Qafa.

Megjithatë rritja e pagës minimale ka ndikim te skema e pensioneve, në të cilën do të derdhen më shumë kontribute. Gjithashtu, për ekspertët, ekonomia në përgjithësi përfiton nga kjo masë.

“Rritja e pagës minimale ka ndikim te informaliteti duke e ulur atë. Kjo është një nga mënyrat më të mira. Ndikimet tjera në ekonomi janë më në afatgjatë”, shtoi Qafa.

Paga minimale në vend është rritur me 6 herë në dekadën e  fundit. Vitin e shkuar, për shkak të shtrenjtimit të jetesës qeveria u detyrua ta rrisë me dy herë atë.

Aktualisht Shqipëria është vendi i dytë pas Kosovës me pagën më të ulët në Rajon. Mali i Zi është shteti me pagën minimale më të lartë në Ballkanin Perëndimor me 533 euro, ndjekur nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në Europë, Luksemburgu është shteti me pagën minimale më të lartë me 2387 euro, shifër kjo mbi 8 herë më e lartë se sa Shqipëria. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos