
Këshilli i Ministrave ka miratuar rritjen e pagës për ushtarakët me 7%, duke filluar nga dita e sotme.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nënvizoi se rritja do të zbatohet për të gjitha gradat, nga gradat më të larta deri tek ushtarët e thjeshtë. “Rritja e pagës nuk është me një fenomen spontan, por po bëhet i përvitshëm, çdo vit do të kemi rritje deri sa të arrihet mesatarja e hapësirës ku bëjmë pjesë, pra në NATO”, ishin fjalët e tij në konferencën për shtyp pas mbledhjes.
Ai dha një shembull. “Sot në qoftë se je 18 vjeç dhe pranohesh në ushtri ose je kadet, paguhesh menjëherë 55 mijë lek dhe 10 mijë lek trajtim ushqimor, dhe kjo është baza, ndërkohë që paga mesatare është me vendimin e sotëm 87 mijë lekë, dhe 40% më e lartë”.
Një vendim tjetër nga Këshilli i Ministrave erdhi nga ministria e Bujqësisë, aty ku ministrja Krifca ndër të tjera deklaroi se do të ketë një mbështetje me 3.3 miliardë lekë. “Do të ketë mbështetje ndaj sektorit të bujqësisë, veçanërisht sektorë prioritare si blegtoria me 10 krerë e sipër gjedhë dhe 100 bagëti të imta, mbështetja e fermave organike, bletarinë, anijet e peshkimit me rigjenerimin e motorëve te tyre, sistemin e prodhimit në serra”.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka nisur fushatën e rekrutimeve për 400 pozicione të lira pranë Forcave të Armatosura, si ushtar apo detar aktiv. Kjo thirrje është e hapur për të gjithë të rinjtë e moshave 18-27 vjeç me arsim 9-vjeçar, të mesëm apo të lartë.
Ministria sqaroi se ndër përfitimet që marrin të gjithë ata që zgjedhin të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura janë: puna e garantuar në FARSH dhe mundësi për karrierë të suksesshme, të ardhura mujore dinjitoze, si asnjëherë më parë për FA, Shërbim shëndetësor për vete dhe familjarët dhe mundësi kurimi të specializuar brenda dhe jashtë vendit, sigurim shoqëror dhe përfitime suplementare pas përfundimit të karrierës, mundësi arsimimi dhe kualifikimi ushtarak brenda dhe jashtë vendit, pa pagesë, përparim në gradë dhe karrierë, përgatitje fizike sipas standardeve të NATO-s, angazhim në misione paqeruajtëse në kuadrin e NATO-s, OKB, BE me përfitime financiare të konsiderueshme.
“Po ashtu për çdo të ri që bëhet pjesë e FA ofrohen trajnime dhe stërvitje jashtë vendit së bashku me kolegë të tjerë të NATO-s dhe SHBA-ve, lehtësira për qira banese, transfertë bashkëshorti/e, trajtim me ushqim, pagesë transporti etj. Si dhe kredi me norma të lehtësuara për banesën e parë të familjeve ushtarake”, thotë Ministria e Mbrojtjes. (A2 Televizion)