

















Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet ndaj shtetit grek për tragjedinë e ndodhur mesnatën e kaluar, ku si pasojë e përplasjes së dy trenave humbën jetën mbi 30 persona dhe disa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
“I tronditur nga tragjedia e përplasjes së trenave në Greqinë fqinje. Ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave dhe u uroj të mbijetuarve shërim të shpejtë. Shqipëria dhe unë qëndrojmë krah Greqisë”, shkruan Begaj në një postim në Twitter.
Sipas zëdhënësit të shërbimit zjarrfikës, Vassilis Varthakogiannis, një tren me 350 pasagjerë u përplas me një tren mallrash pak para mesnate me orën lokale greke pranë qytetit Larissa në Greqinë qendrore. Treni me pasagjerë ishte nisur nga Athina për në Selanik.
Kreu i komunitetit shqiptar në Greqi, Luan Zyka, në një lidhje telefonike me “Dita jonë”, tha se deri tani nuk ka informacione për shqiptarë mes viktimave. “Jemi interesuar me spitalin e Larisës, se atje kanë shkuar viktimat dhe të plagosurit. Janë 32 viktima 85 të plagosur, 58 persona janë ende në spital. Ajo që na thuhet është që shumica kanë qenë studentë që ktheheshin në Selanik. Akoma nuk dimë nëse ka shqiptarë, kam telefonuar në spitalin e Larisës se kjo del nga policia dhe spitali nuk na jep të dhëna”, u shpreh ai. (A2 Televizion)