Pagesat e inceneratorëve, kompanitë në sekuestro marrin 9 milionë euro

Nga A2 CNN
13 Shtator 2022, 15:28 | Ekonomi

Ekonomia në krizë, inceneratorët në sekuestro dhe nën hetim, por pagesat vazhdojnë.

Sipas transaksioneve zyrtare të thesarit, nga 1 janari i këtij viti deri më 31 gusht bashkitë e qarkut të Tiranës dhe institucione të tjera kanë derdhur në llogaritë e Integrated Energy mbi 911 milionë lekë, apo rreth 7.7 milionë euro.

Bashkia Tiranë rezulton të ketë kryer vlerat më të larta të pagesave, në rreth 700 milionë lekë, apo 5.9 milionë euro.

Në total janë 34 pagesa të kryera, për llogari të inceneratorit të Tiranës, prej muajsh tashmë nën sekuestro. Kjo për shkak se kontrata koncensionare nuk është anuluar, pavarësisht hetimeve. Ajo përcakton detyrimin e institucioneve për të paguar një tarifë për çdo ton mbetje të depozituar në landfill. Argumentimi i kësaj pagese në vetvete nuk është depozitimi, por djegia e mbetjeve, edhe pse nuk ka asnjë incenerator në Sharrë.

Pagesat me këste kanë vijuar gjatë kësaj periudhe edhe për kontratën e inceneratorit të Fierit. Në 6 transaksione, qeveria i ka paguar plot 376 milionë lekë kompanisë tjetër nën hetim dhe sekuestro, shifër e barabartë me 3.2 milionë euro.

Kjo e çon faturën totale të këtij viti për inceneratorët në 9.1 milionë euro, ndërsa priten edhe pagesa të tjera deri në fund të dhjetorit. Shifra është më e madhe se e gjithë rritja e ndihmës ekonomike nga ky Shtator deri në fund të vitit të ardhshëm.

Ndonëse këto para nuk shkojnë te pronarët e shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve, kryeministri ka deklaruar se nuk mund të anulojë kontratat pa pasur një dënim të formës së prerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos