Pagesat me kartë kapën vlerat më të larta historike në numër dhe vlerë vitin e shkuar

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2023, 13:57 | Ekonomi

Për të paguar faturat apo për të blerë ushqime në supermarket, çdo shqiptar kreu mesatarisht katër pagesa me kartë bankare vitin e shkuar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se numri i pagesave në pikat elektronike të shitjes gjatë 2022-shit arriti në mbi 10.7 milionë, duke shënuar kështu nivelin më të lartë historik.

“Lajmi më i mirë është fakti që shqiptarët kanë filluar të vlerësojnë kohën edhe përdorimin në mënyrë sa më eficente të kohës së tyre. Kjo përkthehet në më shumë produkte digjitale të pagesave, që kanë ekzistuar prej vitesh”, shprehet ekspertja e sistemit të pagesave, Bora Feri.

Në linjë të njëjtë me shtimin e pagesave ka shkuar edhe vlera e shpenzuar, e cila për vitin e shkuar përllogaritet në rreth 50.6 miliardë lekë. Kjo shifër është më e larta që kur në vend nisi përdorimi i kartave bankare dhe rreth 45 për qind më e madhe se në vitin 2021.

“Ka akoma shumë për të bërë në këtë drejtim. Në mënyrë që të bëjë sens përdorimi i kanaleve bankare të pagesave duhet të ketë një koncertim të të gjithë aktorëve në treg që nis me konsumatorin e përfundon me rregullatorin apo anasjelltas”, thotë ekspertja Bora Feri.

Me gjithë rritjen, Shqipëria vijon të jetë e prapambetur në drejtim të pagesave me kartë bankare nëse e krahasojmë me vendet e në Europë apo edhe Rajonit. 

“Tregu në Shqipëri vijon ta perceptojë përdorimin e kartës si diçka që i takon një shtrese të caktuar. Këtu ka nevojë për këshillim nga të gjithë aktorët. Nuk është faji i konsumatorëve”, shprehet Feri.

Sipas ekspertëve, faktori kryesor që po nxit rritjen e pagesave me kartë është zgjerimi bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se numri i terminaleve për pagesa elektrike vitin e shkuar arriti në mbi 16 mijë, duke shënuar kështu një rritje me 148 për qind. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/02/gati-kartat-bazike-bankare-ulen-kostot-e-transaksioneve-elektronike-synohet-gjitheperfshirja/

A2 CNN Livestream

Latest Videos