
Monedha europiane e euros po vijon një trend rënës në vendin tonë, të cilin ekspertët e ekonomisë e lidhin me një sërë faktorësh. Në studion e A2 Business Majlind Lazimi, Eriola Hoxha dhe Ermal Telhai kanë dhënë shpjegimet e tyre për këtë fenonem që mesa do të vijojë të ulet akoma. Sipas Lazimit vendi ynë është përballë një presioni të një sasie të madhe valutor në euro, që vjen në mënyrë informale.
“Besoj që jemi nën presionin e një oferte të zgjeruar të euros në tregun valutor. Arsyet janë të ndryshme. Kemi zhvlerësim nga remitancat dhe turistët por shkurti është atipik. Tregu valutor në Shqipëri ka ndryshime. Edhe blerjet e energjisë elektrike nuk kanë qenë si në vitin e kaluar, paraja dhe dërgesat valutore informale, jashtë bankare janë të larta. Ne do të jemi në presionin e një sasie të madhe valutore euro. Edhe importet dhe fakti i politikës monetare ka një lloj efekti minimalist që mbron monedhën vendase”.
Për eksperten e ekonomisë Eriola Hoxha kjo prurje në vlerën e 1 miliard eurove ka sjellë çekuilibrim në treg.
“Sipas raportit të Bankës prurjet më të mëdha vijnë nga Italia, Kanadaja, Gjermania, dhe Greqia dhe kjo është në vlerën e 1 mld eurove. Kjo ka sjellë çekuilibrim në treg”.
Ndërkohë, eksperti Telhai rendit ndër arsyet kryesore të uljes së euros tkurrjen e konsumit dhe ardhjen e euros informale nga jashtë vendit, ndërsa apelon vënien nën kontroll të kësaj situate. Sipas tij edhe prurjet në ndërtim kanë sjellë deformim të tregut.
“Konsumi është tkurrur, vijmë pas një pandemie dhe lufte. Janë tronditur të gjitha tregjet dhe prandaj kemi këtë reflektim, ulja e euros në shkurt është atipike. Kemi dy tregues uljen e konsumit shtimin e ofertës së euros dhe ardhjen në mënyrë informale të euros nga jashtë. Unë gjykoj që do kemi rënie të mëtejshme të euros nëse nuk e vëmë nën kontroll. Niveli i konsumit ka tkurrje. Prurjet në ndërtim kanë sjellë deformim të vlerave të tregut. Për një gjendje ekonomike nga rrogat mesatare. Kemi rritje disporpocionale tregu duke qenë se po investohet me tepër”.
I pyetur në lidhje me thellimin e krizës së çmimeve gjatë vitit 2023, Lazimi vëren se ky do të jetë një vit i vështirë.
“Kërkesa për euro, ky vit do të jetë i vështirë i ekonomisë do kemi rritje të normës së interesit njerëzit që do të kenë kredi në euro janë humbësit më të mëdhenj. Kushdo që ka të ardhura në euro, sërish duhet të jemi koshientë që në afatmesme e afatgjatë shikoj probleme për lekun. Një monedhë e fortë është ajo që reflekton një ekonomi prodhuese. Dhe ekonomia shqiptare nuk i ka këto”.
Ai thekson se BSH nuk do të ndërhyjë pasi ka qëllim për të ruajtur inflacionin
“Nuk besoj se BSH e ka në plan së shpejti të ndërhyjë duke blerë euro në qarkullim, duke rritur vlerën e eruos dhe zhvlerësojë lekun. BSH ka qëllim ruajtjen e inflacionit. Inflacioni ka një zbutje nuk besoj ndërhyrje të tilla nëse do të kemi përshakëllëzim të euros, atëherë ndoshta BSH do të kishte pasoja në eksporte. BSH është në pozicion neutral. Nuk kemi kurs këmbimi dramatik deri në pranverë do jemi rikuperim të euros. Janë dhe zgjedhjet”. (A2 Televizion)