Pajisja me armë, aplikimi për autorizim për leje të posaçme do të bëhet online

Nga A2 CNN
19 Prill 2021, 15:20 | Aktualitet
Pajisja me armë, aplikimi për autorizim për leje të

Digjitalizimi dhe përdorimi i shërbimeve në internet ka bërë që edhe kërkesa për t’u pajisur me armë të bëhet online.

Ministria e Brendshme ka nisur konsultimet publike sa i takon projektligjit për pajisjen me autorizim të posaçëm për mbajtjen e armëve si dhe vlerësimin e rrezikut të kërcënimit të jetës.

Sipas hartuesve të projektit, qëllimi është të lehtësojë procesin e vlerësimit të kërcënimit të rrezikut për jetën dhe pajisjen me autorizim të posaçëm për mbajtje arme, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve online, duke reduktuar kështu kohën e marrjes së shërbimit si dhe duke evituar burokracitë.

Në ligjin e vitit 2015, ndryshohet pika 4 sipas së cilës parashikohen dhe detyrat e policisë së shtetit. Sipas projektit, kërkesa individuale e personit që kërcënohet për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta për pajisjen me autorizim të posaçëm për mbajtje arme bëhet online, e shoqëruar dhe me kopjen e dokumentit identifikues të personit të kërcënuar.

Brenda 72 orëve nga paraqitja e kërkesës, strukturat e Policisë, ku ka vendbanimin personi i kërcënuar administrojnë relacion nga komisariati ku banon personi, lidhur me ekzistencën e kërcënimit të jetës, informacione hetimore, por edhe vërtetim besueshmërie për personin e kërcënuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos