
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar lidhur me cenimin dhe përhapjen e të dhënave personale të shtetasve shqiptarë.
Përfaqësuesi Redi Skënderaj thotë se ka nisur një hetim administrativ për këtë çështje, ndërsa shprehet se publikimi online i të dhënave përbën një lojë të rrezikshme dhe iu bën thirrje qytetarëve që të mos bëhen pjesë e këtyre skemave.
“Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale po monitoron me kujdes situatën e krijuar nga cenimi dhe përhapja e paligjshme e të dhënave personale. Kjo shkelje e realizuar në një shkallë të gjerë, siç është rasti përbën shkeljen më të rëndë të jetës private. Kjo e drejtë është e sanksionuar në nenin 35 në Kushtetutën e Shqipërisë.
Zyra e Komisionerit ka nisur një proces hetimi administrativ, rezultatet e të cilit do bëhen publike brenda afateve ligjore.
Zyra e Komisionerit vlerëson se ushtrimi i lirisë së shprehjes dhe të shtypit, kur në objekt të saj ka të dhëna personale, duhet realizuar duke pasur parasysh faktin se interesi i lartë publik dallon nga interesi për publikun. Rrjedhimisht çdo publikim mediatik, në faqe interneti apo aplikacione duhet të realizohet vetëm në përputhje me interesin publik.
Duhet të ndërpritet çdo veprim i kundërligjshëm që lidhet me publikimin e të dhënave personale të shtetasve. Qarkullimi dhe publikimi online i të dhënave në shumicën e rasteve rezulton tejkalim të interesit publik. Këto publikime dhe qarkullimi i të dhënave online përbëjnë një lojë të rrezikshme.
Zyra e Komisionerit kërkon t’i jepet fund kësaj loje. Zyra e Komisonerit apelon çdo qytetar që të mos bëhet pjesë e skemave mashtruese të vëna në zbatim sepse siç po ndodh abuzimi me to mund të bëhet fare lehtësisht, ndërsa riparimi i pasojave mund të jetë afatgjatë, madje i pakthyeshëm”, u shpreh Redi Skënderaj. (A2 Televizion)