
“25 mijë lekë të vjetra i shtohen familjeve për çmimin e shportës, që nuk është pak”. Kjo është përllogaritja që citon kryeministri Rama, e shtrenjtimit të ushqimeve në vend, që në fakt nuk reflekton situatën e dy javëve të fundit, ku rritja e çmimit të karburanteve ka prodhuar një valë të re inflacioni.
E as nuk përfshin të gjithë shtrenjtimin e jetesës, që deri në fund të shkurtit ishte 3300 lekë të reja. Para punonjësve të një fabrike mielli, ndër kategoritë e paguara më pak në vend, Rama shpjegoi se si do t’u vijë në ndihmë paketa e rezistencës sociale.
“Jo 25 mijë lekë, po 30 mijë lekë në dorë, që pavarësisht rritjes së çmimeve familjet t’i blejnë ushqimet e shportës njësoj si kur nuk ishin të rritura”, thotë Rama.
Por kjo mbështetje, ndërkohë, është e kufizuar tek pensionistët që marrin më pak se 15 mijë lekë, personat me aftësi të kufizuar dhe familjet në skemën e ndihmës ekonomike, për vetëm 3 muaj. Pas këtyre 3 muajve, siç tha edhe vetw kryeministri: “Do zoti kjo punë nuk shkon keq e më keq, se pastaj aty...”.
Në paketë, qeveria vendosi gjithashtu të afrojë heqjen e tatimit mbi të ardhurat për pagat deri në 40 mijë lekë. “Të gjitha ju që keni një pagë midis 340 dhe 400 mijë lekësh, nuk do paguani më asnjë taksë, që do të thotë keni dhe një tjetër të ardhur plus”.
Kjo e ardhur plus, do të jetë maksimalisht 13000 lekë të vjetra. Ndërsa për ata me pagë minimale rritja është 20 mijë lekë, sërish nën nivelin e shtrenjtimit të jetesës. “Deri në fund të mandatit ambicia është ta çojmë në 400 mijë lekë”.
Me gjithë këtë ambicie, Shqipëria sërish do të kishte pagën minimale më të ulët në rajon pas Kosovës. Masat e tjera ndërkohë përfshijnë rritjen e pensioneve me 400 deri në 1 mijë lekë. 200 milionë dollarë që do të shkojnë për energjinë, shtimin me 5 milionë dollarë për skemën e subvencionit të naftës në bujqësi dhe 5 milionë dollarë për kompanitë e transportit urban, po ashtu për të kompensuar rritjen e çmimit të naftës.
Ndërsa për ata që protestojnë para zyrës së tij, kryeministri e ka gjithashtu një mesazh. “Ne nuk jemi këtu të ulim naftën për ata që duan të furnizojnë fuoristradat X5 për të bllokuar rrugët atje. Është koha për t’u ndjerë mirë që ke mundësi të paguash më shumë. Nuk është koha për të vënë kujën dhe për të dalë atje në rrugë dhe për ta bërë Shqipërinë gazin e botës”.
Në vendet fqinje ndërkohë të gjitha qeveritë kanë ndërhyrë tek taksat e karburanteve, ndërsa qytetarëve nuk i është dashur të protestojnë duke mos u bërë kështu gazi i botës. (A2 Televizion)