
Nismë e ricikluar e që në fund nuk do të zgjidhë asgjë. I këtij mendimi është ish-zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, për Bordin e sapokrijuar të Administrimit të Karburanteve. Për të mbështetur pohimin e tij, ai sjell në vëmendje një iniciativë të ngjashme të 27 viteve më parë.
“Fillon që me bordin apo vendimin e qeverisë për sheqerin në ‘95 për tavanin e çmimit, i cili nuk funksionoi edhe në kushtet e një policie financiare. Edhe më vonë është tentuar dhe janë njoftuar krijime bordesh për të zgjidhur krizën e çmimeve. Bordet janë mekanizëm propagande për të krijuar perceptimin që qeveria po shqetësohet, por janë mekanizma pa zgjidhje”.
Sipas ish zv.ministrit të Financave, mbledhja e detyruar e qeverisë me importuesit e karburanteve, konfirmoi në një farë mënyre spekulimin me çmimet e për këtë duhet nisur një hetim edhe përtej Autoritetit të Konkurrencës.
“Tregtarët nuk shesin naftën që blejnë sot dhe e dyta edhe nëse e shesin, kjo është porositur 6 muaj përpara se nuk është mall që blihet në supermarket, por që bazohet në disa kontrata që në gjuhën teknike quhet “future””.
Sipas Shehu, ndërhyrja e qeverisë është gjithashtu e vonuar dhe ka krijuar kosto shtesë te qytetarët, pasi për ditë të tëra kanë paguar çmime të kripura për naftën e benzinës. (A2 Televizion)