
Sistemi aktual i emergjencës së rezervave të naftës në Shqipëri i është ngarkuar industrisë së naftës e cila duhet të ketë të ndarë sasi të nevojshme konsumi mesatar të paktën 90 ditë. Por si funksionon sot menaxhimi i rezervave të naftës dhe kush është përgjegjës për kontrollin e tyre?
“Legjislacioni ekzistues është Inspektoriati Qendror Teknik, ai që ka përgjegjësinë për të verifikuar që kompanitë të përmbushin këtë detyrim. Nga diskutimi publik që pamë sot, do të ngrihet bordi i administrimit të rezervave që do të bëjë verifikimin në terren për përmbushjen e detyrimit ligjor”, u shpreh eksperti për hidrokarburet Dael Dervishi.
Por çmimi i naftës në vend mbetet i lartë pavarësisht se kompanitë e karburanteve që e shpërndajnë në vend kanë ende rezervat e tyre të naftës. Në emisionin A2 Business, zëvendësministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Ilir Bejtja, u shpreh se zakonisht këto rezerva përdoren vetëm në rast emergjence kur në treg nuk ka më sasi nafte.
“Rezerva e sigurisë përdoret sipas ligjit vetëm kur mungon nafta. Rezervën sot nuk mund ta përdorin”, tha zv.ministri Bejtja.
Nga ana tjetër, institucioni që ruan konkurrencën e ndershme në treg dhe mbron konsumatorët nga rritjet drastike të çmimeve si ajo me naftën, është Autoriteti i Konkurrencës. Por ky i fundit ka bërë të ditur se nuk mund të ndërhyjë te çmimet, por vetëm të monitorojë tregun dhe të jetë transparent. Ndërkohë, sipas ish-Drejtoreshës të Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, tregu ende ka shumë problem, por autoritetet mund të veprojnë për të verifikuar kostot e shtuara përtej çmimit real si ndodh me produktet ushqimore, njëjtë dhe me naftën që hyn në vend.
“Autoriteti i Konkurrencës ka pasur në mënyrë të vazhdueshme në monitorim tregjet dhe do të flasë kur të ketë evidencat e duhura dhe kur duan të veprojnë për rregullimin e situatës”, deklaroi Lati.
Për zbutur disi çmimet e larta për konsumatorët dhe për ta bërë më të përballueshme krizën aktuale që po kalojmë, qeveria i ka bërë thirrje tregtarëve më shumicë dhe pakicë nga ky moment të përdorin rezervat e tyre të naftës për të krijuar një stabilizimin të çmimeve në treg. (A2 Televizion)