
Qeveria dorëzoi në kuvend te gjitha ligjet e paketës anti-KÇK, që shoqërojnë Aktin Normativ të miratuar më herët. Draftet konfirmojnë në thelb atë që prej më shumë se një jave A2CNN ka publikuar, ku bien në sy liria që i jepet policisë për të përgjuar pa nevojën e një autorizimi nga Prokuroria, mos asgjësimi i përgjimeve kur ato nuk i shërbejnë hetimit. Sipas mazhorancës gjithçka do të rregullohet përmes një udhëzimi të ministrit të Brendshëm, Prokurorit të përgjithshëm dhe drejtuesit të SPAK.
Pikërisht te goditja e pasurisë së krimit, vuri theksin edhe Kryeministri kur mbrojti para deputetëve nismat.
“Ne kemi vendosur të ndërmarrim një ofensivë shembullore si asnjëherë më parë, në të dyja anët e medaljes. Në anën e medaljes që është pasqyrë e fuqisë financiare të krimit të organizuar dhe në anën e medaljes që është pasqyrë e krimit në sistemin e drejtësisë. Sot ne i japim një fuqi të re ILD duke i dhënë mundësi inspektorit të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve kriminale të gjykatësve, duke kërkuar brenda 3 ditëve pezullimin e tyre nga detyra. I hapim rrugë fillimit menjëherë të hetimeve për gjykatësit në fjalë. Këtyre do t’iu bëhet më keq se vetting-u kur KÇK të materializohet me një vendim. Nuk mund të ketë më një lojë macja me miun. Ofensiva që po bëjmë nuk është një lojë dhe asnjë nga aksionet e radhës, por një operacion që e fut thikën mu në zemër të krimit të organizuar, duke goditur pasurinë. Burgu për këta nuk mjaft, pasi duhen zhveshur nga pasuria”, u shpreh Rama.
Draftet nuk prekin vetëm kodin penal dhe atë procedurës, por edhe ligjin për policinë, si dhe atë antimafia. Ndërkohë që Qeveria shfrytëzon procedurat e përshpejtuara për miratimin e këto nismave, duke iu referuar urgjencës që paraqet situata, ministri i Brendshëm ka tjetër vlerësim nga shefi i tij.
Parlamenti pritet të miratojë në seancën e 5 marsit aktin normative dhe ligjin për agjencinë që administron pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi, e cila kalon në varësi të Ministrisë së Brendshme, për të menaxhuar edhe pronat e bllokuara nga OFL. (A2 Televizion)