
Nëse rritja e çmimeve do të vijojë, qeveria mund të miratojë një tjetër masë mbështetëse për shtresat më në nevojë, të ngjashme me “Paketën e Rezistencës”.
“Jemi duke analizuar me kujdes ecurinë e inflacionit për produktet që ndikojnë më shumë në kategorinë e shtresave më në nevojë”, tha ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.
Megjithëse janë dy ndër produktet me varësinë më të lartë nga Rusia dhe Ukraina të përfshira në luftë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj garanton se shqiptarëve nuk do iu mungojë gruri dhe mielli. “Për momentin tregu është stabël dhe ka ofertë e cila përmbush nevojat. Sigurisht që është një krizë që do të vijojë, ka pasiguri për të ardhmen, por për muajt në vijim, tregu është i garantuar”.
“Hiqni bordet, ndihmoni të varfrit”, ishin dy ndër sugjerimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar drejtuar qeverisë shqiptare të enjten. Në këtë pikë, “Financat” tërësisht dakord bien vetëm për këshillën e dytë. “Nuk është qëllimi i kësaj qeveria të funksionojë me borde, është situata e veçantë që na e ka diktuar për të mos lejuar spekulantë në këtë periudhë të vështirë”, tha Brahimaj.
Në katër muajt e parë të vitit, të ardhurat në vend sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë arritën në mbi 187 miliard lekë, duke shënuar kështu një rritje me gati 23 për qind krahasuar me harkun e muajve janar-prill 2021. (A2 Televizion)