Avokatët, noterët, kontabilistët, audituesit e gjithë profesionet e tjera të lira, nisur nga viti që vjen, me gjasa, do të taksohen mbi fitimet e tyre, ndryshe nga sa ka ndodhur dy vitet e fundit
“Do të targetojë ato që sot individët çelin biznese, ua shesin të tjerë bizneseve si shërbime duke eliminuar pagesën e taksave”, deklaroi ministrja Ibrahimaj më 16 maj.
Por, ky arsyetim nuk bind profesionistët e lirë, tek të cilët taksimi mund të jetë i ngjashëm me atë që aplikohet mbi pagat.
“Çdo nismë që ndërmerr qeveria ka objektivin të mbushë arkat e shtetit, kjo është normale, problemi është kur vendosen mënyrat e tatimit dhe llojet e profesioneve që duhet të tatohen dhe në çfarë mënyrë, atëherë këtu duhet gjetur një moment për të dialoguar për të gjetur formën më stimuluese që të ndihmojë këto profesionistë”, thotë për A2 CNN Fatjon Softo, e Shoqatës së Profesionistëve të Lirë.

Argumentimi se nisma do të luftojë informalitetin nuk bind as ekspertët kontabël, të cilët paralajmërojnë të kundërtën.
Sipas ekspertit kontabël Igli Zepishti, “një pjesë edhe do të falimentojnë të tjerat do të gjejnë mënyra. Në qoftë se dikur deklarimi i tyre ka qenë real, tani minimalisht do të krijojnë evazion”.
Aktualisht, profesionistët e lirë, numri i të cilëve përfshirë fermerët shkon në mbi 300 mijë nuk paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për xhiro deri në 10 milionë lekë dhe tatim-fitimi deri në 14 milionë lekë në vit. (A2 Televizion)