
Kryeministri surprizoi në mbyllje të këtij viti, duke njoftuar një mbështetje financiare prej 8 miliardë lekësh për disa kategori, nga shtresat në nevojë te pensionistë, përfshirë punonjësit e Shtetit, që do të nisë shpërndarjen ditët e para të janarit.
“Pako e Madhe”, siç i referohet ai, nuk ishte përmendur gjatë diskutimeve për buxhetin dhe arsyetohet nga Qeveria si një ndihmë për të përballuar efektet e inflacionit dhe rritjes së çmimeve.
“Paketa do të lehtësojë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit, ku falë edhe subvencionimit masiv të çmimit të energjisë që do të vazhdojë përgjatë vitit 2023, mburoja financiare e qeverisë për familjet shqiptare e bën shumë më të përballueshëm këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën”, tha Rama.
Kundërshtari politik, Sali Berisha e sheh këtë lëvizje të Edi Ramës, jo si të një kryeministri që mendon për vuajtjet e popullit, por si një taktikë politike të kryetarit të PS 4 muaj para zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Berisha theksoi se qeveria është kapur në vjedhje nga Kontrolli i Larte i Shtetit me 122 miliardë lekë në 9 muaj, një shumë që sipas tij do të kishte shërbyer për rritje të ndjeshme të pagave dhe pensioneve në vend. (A2 Televizion)