
Perëndimi ka rënë. Në qytetin bregdetar të Ulqinit së shpejti do të nisë muzika. Jeta e natës dhe volumi i lartë i klubeve do të “pushtojë” edhe muret e kalasë.
Një pedonale do t’i përkasë të rinjve që festojnë me gota në duar, tjetra shëtitore i është dedikuar këtë fundkorriku e fillimgushti librit.
Libri shqip i bashkoi edhe një herë shqiptarët. Stendat që zbulonin thesaret nga ora 8 e mbrëmjes deri në mesnatë vizitoheshin nga qindra të interesuar. Më të etur për këtë dije që ofrohej buzë detit ishin ato që jetonin më larg trojeve shqiptare.
Por, ndonëse nga njëra anë e stendave shqiptarët gëzonin për këtë iniciativë, për botuesit, shkrimtarët e organizatorët jo çdo gjë ka qenë e thjeshtë. Pas kësaj feste të librit shqip, ekipi i atyre që servirin dije në kapakë plot ngjyra sapo kanë tejkaluar betejën e radhës.
Përtej çdo absurditeti, ky panair ka treguar se gëzon një të shkuar stoike, sepse libri shqip për të nëntëmbëdhjetin vit prezantohet edhe në këtë edicion plot risi.
Etja për atë çka ofron libri në këtë vend është edhe më e madhe. Për ata që jetojnë aty, mungesa e një librarie ku mund të gjesh tituj të rinj të botuar në shqip e bën këtë event edhe më joshës. Kësaj feste për librin, i është bashkuar edhe muzika. Në shëtitoren e plazhit të vogël, në kala e kudo jehonte shqipja. 19 vite nuk janë pak edhe për botuesit më të hershëm të këtij takimi.
Pikërisht, mbrëmja e ndarjeve të çmimeve letrare që në këtë edicion vinin për herë të parë, ishte edhe më emocionuesja. Në tre ditë të qëndrimit tonë në Ulqin, takimet me autorët dhe biseda me ta ishin momentet më magjike. Në skenën verore të Kalasë së Ulqinit autorët zinin vend për rrëfimin e radhës.
I tillë është bërë edhe ky panair, më i pjekur me vitet… (A2 Televizion)