
Ditën e sotme, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari zhvilloi një takim pune në Bashkinë e Shkodrës, ku u prit nga Kryetari, Benet Beci.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Myftinia Shkodër bën të ditur se në takimin e përbashkët ku ishin të pranishëm edhe teologu Arben Halluni dhe deputeti i PS-së, Onid Bejleri, u diskutua rreth një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me bashkëpunimin dy palësh ndërmjet institucionit të Myftinisë Shkodër dhe Bashkisë së qytetit.
Po ashtu bëhet e ditur se në takim Myftiu shprehu “shqetësimin e madh të Myftinisë Shkodër, të besimtarëve dhe qytetarëve shkodranë për aktin e paprecedent të ndërhyrjes, një natë më parë, të drejtorit të Policisë së Shkodrës në ambientet e xhamisë “Ebu Bekër” natën vonë për heqjen e një prej tabelave të Myftinisë Shkodër”.
Sipas reagimit, në takim u vu theksi tek vlera e madhe e lirisë së besimit dhe domosdoshmëria e panegociushme për shkëputjen nga hijet e së kaluarës, respektimin e institucioneve fetare, shenjtërinë e tyre dhe bashkëpunimin për të mirën e komunitetit, duke mos toleruar dhe lejuar në asnjë mënyrë që këto shenjtëri të shkelen nga askush dhe në asnjë moment.
Ky takim erdhi pasi më herët Policia vendore e Shkodrës hoqi tabelën e vendosur brenda rrethimit të Xhamisë Ebu Bekr në qendër të qytetit, shkruan A2 CNN.
Njoftimi:
Myftinia Shkodër, 10 nëntor 2025
Myftiu i Shkodrës takim me kryetarin e Bashkisë Shkodër
Ditën e hënë, më 10 nëntor 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari zhvilloi një takim pune në Bashkinë e Shkodrës, ku u prit nga Kryetari, z. Benet Beci.
Në takimin e përbashkët ku ishin të pranishëm edhe teologu Arben Halluni dhe deputeti i PS-së, z. Onid Bejleri, u diskutua rreth një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me bashkëpunimin dy palësh ndërmjet institucionit të Myftinisë Shkodër dhe Bashkisë së qytetit.
Gjatë këtij takimi, Myftiu shprehu shqetësimin e madh të Myftinisë Shkodër, të besimtarëve dhe qytetarëve shkodranë për aktin e paprecedent të ndërhyrjes, një natë më parë, të drejtorit të Policisë së Shkodrës në ambientet e xhamisë “Ebu Bekër” natën vonë për heqjen e një prej tabelave të Myftinisë Shkodër.
U vu theksi tek vlera e madhe e lirisë së besimit dhe domosdoshmëria e panegociushme për shkëputjen nga hijet e së kaluarës, respektimin e institucioneve fetare, shenjtërinë e tyre dhe bashkëpunimin për të mirën e komunitetit, duke mos toleruar dhe lejuar në asnjë mënyrë që këto shenjtëri të shkelen nga askush dhe në asnjë moment.
Të dy bashkëbiseduesit ishin të mendimit se bashkëpunimet e frytshme të Myftinisë Shkodër dhe Bashkisë Shkodër nuk duhet të ngelen peng e incidenteve kalimtare dhe se interesi i përbashkët i komunitetit dhe i shoqërisë qëndron më lart sesa krejt incidentet e padëshirueshme, që gjithsesi duhet të marrin dënimin e merituar në të gjitha format legjitime.
Myftinia Shkodër dhe Bashkia Shkodër do të vazhdojnë më tej bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre për një sërë projektesh të përbashkëta për të mirën e komunitetit dhe në shërbim të vlerave të patjetërsueshme të qytetarisë dhe paqes sociale. (A2 Televizion)
