
Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin në Barcelonë, në prag të dy ndeshjeve të fundit të fazës kualifikuese ndaj Andorrës dhe Anglisë.
Mbrojtësi Mario Mitaj deklaroi se kuqezinjtë janë të karikuar para përballjes me Andorrën.
“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, e dimë çfarë presim, i njohim kundërshtarët. Sidomos ndeshja e parë ndaj Andorrës, e cila është shumë e rëndësishme, ku duhet të jemi të gjithë shumë të fokusuar. Jemi këtu pas tre ndeshjeve të fituara, jemi në një moment shumë të mirë. Besoj se do të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë. Është një ndeshje që duhet ta fitojmë se s’bën, duhet të futemi vetëm për fitore. Të gjithë çunat janë në formë shumë të mirë, jemi të gjithë shumë të karikuar, e dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe besoj se do të futemi dhe do të japim maksimumin", tha Mitaj për kanalin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Objektivi është vetëm që të shkojmë në play-off, jemi shumë afër, na duhen edhe këto dy ndeshje, fillimisht fitorja e parë me Andorrën dhe më pas shikojmë Anglinë. Ky është objektivi, të shkojmë në play-off”, shtoi Mitaj.
Mbrojtësi foli edhe për formën e tij në klub dhe ndikimin që kjo ka në paraqitjet me Kombëtaren: “Gjithmonë, nëse bëj mirë me klubin, kjo ndikon edhe te performancat e mia me Kombëtaren. Në përgjithësi jam i lumtur që paraqitem mirë dhe besoj se kjo do të ketë impakt më të mirë me Kombëtaren.”
(A2 Televizion)
