Përplasjet për pronën dhe tabelat, “paqe” pas takimit mes myftiut të Shkodrës dhe Benet Becit

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazment Janku
10 Nëntor 2025, 17:50 | Aktualitet

Pas përplasjes për tabelën me thënie të Profetit Muhamed në qendër të Shkodrës, Myftinia dhe Bashkia kanë arritur të zbusin tensionet. Takimi mes Myftiut Muhamed Sytari dhe kryebashkiakut Benet Beci duket se ka hapur rrugën për një zgjidhje paqësore. Të dy palët pritet të normalizojnë marrëdhëniet pas debatit që ndezi reagime të forta në qytet.

Përplasja mes bashkisë Shkodër dhe Myftinisë është sheshuar pas takimit të Myftiut të Shkodrës Imam Muhamed Sytari me kryebashkiakun Benet Beci. Një veprim i pazakontë ndodhi mbrëmjen e së dielës në qendër të Shkodrës, ku forcat e Policisë së Shtetit hoqën tabelën me një thënie të Profetit Muhamed, e vendosur në oborrin e xhamisë “Ebu Beker”. Tabela i referohej grabitjes së pronës që, sipas komunitetit mysliman, po u vidhet atyre dhe në të po ndërtohet një kullë 35-katëshe.

Pas kësaj situate, këtë të hënë Myftinia Shkodër në një postim në Facebook, teksa rikthejnë në kujtesë ngjarjet që kanë ndodhur në 1990, nënvizojnë se dënojnë çdo akt dhune, shkeljeje flagrante dhe denigrimi të pronës private dhe simbolikave të shenjta. Myftiu dhe kreu i bashkisë kanë biseduar për zhvillimet më të fundit dhe përplasjen mes tyre për tabelën e hequr fillimisht nga bashkia e më pas nga policia e shtetit. Në dalje Myftiu nuk preferoi të flasë për mediat por jashtë kamerave u shpreh shkurtimisht se “nuk ka asgjë të pazgjidhshme”.

Kjo deklaratë e tij le të kuptohet se mes Myftinisë dhe Bashkisë Shkodër pas këtij takimi është gjetur një zgjidhje dhe pritet që situata të normalizohet duke lënë pas përplasjet mes tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos