Panairi i 23-të i Librit në Prishtinë

Nga A2 CNN
19 Qershor 2023, 11:36 | Kulturë
Panairi i 23-të i Librit në Prishtinë

Kjo festë e librit në Prishtinë na ftonte si asnjëherë tjetër. Dy shkrimtarë të mëdhenj të trojeve shqiptare, të përkthyer, lexuar, komentuar, kritikuar e dëgjuar në çdo skaj të botës, edhe aty ku nuk ishin bashkë në një panair.

Ismail Kadare ka qenë i pranishëm në panairin e parë të Prishtinës, në atë kur trazirat e luftës e zhvendosnin vëmendjen, e pas 23 vitesh rikthehej po aty, për të festuar 7 dekada krijimtari, e për t’i prezantuar krijimtarinë e tij në një vepër madhore, një koleksion prej shtatë vëllimesh që e gjenim në stendën e Onufrit.

Profesor Rexhep Qosja, me ditarin e tij të nëntë mbi shqiptarët, Kosovën dhe gjithë kujtimet e tij, ishte në këtë panair një ngjarje tjetër e bukur, një ngjarje që te stenda e Toenës dhe Artinit mblidhte lexues që kishin udhëtuar vetëm për të takuar autorin dhe për të marrë një autograf prej tij.

Por, ndonëse këto dy shkrimtarë të njohur të botës së letrave shqip ishin kryefjala e këtij panairi, në sallën e takimeve letrare studiuesit janë bërë bashkë edhe për Ernest Koliqin, Petro Markon e Jakov Xoxën.

E megjithatë, një nga botimet për të cilat mund të themi se nuk mbetën më kopje gjatë zhvillimit të panairit, ishte ai i abetares mbarëkombëtare. Mësues, nxënës, prindër, emigrantë apo të interesuar për ta çuar abetaren edhe jashtë trojeve shqiptare, aty te fëmijët që s’duan ta humbasin shqipen përtej largësisë me vendin, ishte një ndër botimet që u zhduk sa hap e mbyll sytë. Në promovimin e Abetares kishin mbërritur jo vetëm profesorë si Xhevat Lloshi, por edhe mësues të Kosovës, librashitës e fëmijë që kërkonin të kuptonin këtë abetare të re, që sapo kishte shkelur në Prishtinë e që me siguri do ta kishte rrugën e gjatë edhe drejt vendeve europiane apo përtej oqeanit.

Ndonëse për abetaren e njësuar është punuar këto pesë vitet e fundit, e ndonëse tanimë Kosova dhe Shqipëria e kanë një të tillë, gjithsesi, alternimi i teksteve apo edhe ideimi i tyre përmes teknologjisë duket se është një alternativë tjetër.

Librat për fëmijë ishin titujt që gjeje më së shumti të kërkoheshin në këtë panair. Që ashtu sikurse edhe në Tiranë organizoheshin me klasat për një vizitë në stendat plot dije.

Mirëpo, lexuesi i rritur dukej se ndryshonte nga ai Tiranës. Ndonëse me të njëjtën gjuhë dhe nën të njëjtat simbole, në Prishtinë librat motivues, ato udhërrëfyes e psikologjikë ishin më të kërkuarit. Në listën e dëshirave ishin edhe veprat me nota historike ku rrëfehen ngjarje të luftës së Kosovës apo përpjekjeve për t’u bashkuar me Shqipërinë. Ndryshe, lexuesi i Tiranës kërkon librin rozë, librin e pëlqyer në masë, bestseller-in apo një libër që i përngjan një filmi, e që kërkon pak angazhim.

Buzuku dhe Dukagjini, dy nga libraritë, botimet dhe shtëpitë botuese që prej vitesh i gjejmë edhe në hyrjen e Panairit të Librit në Tiranë si për mikpritje, i gjejmë po aq dashamirëse dhe në Prishtinë. 

Një ndalesë do ta bëjmë edhe te Dukagjini, që në nëntor në Tiranë u vlerësua për përkthimin më të mirë të vitit, atë të Romeo Çollakut. Ai ka sjellë në shqip “Varfanjakun e zotit”, një kryevepër të Kazanzaqis. Për ata që e rrëmbyen në Panairin e Tiranës, ishte koha ta merrnin me shijen e Panairit të Prishtinës. Ndërsa nuk mund të rrimë duarkryq ndaj kolanës që pasurohet çdo herë te stenda e Dukagjinit, ndalojmë të takojmë Orjelën që si studiuese kujdeset t’i sjellë tanimë një kolanë si anima për shpirtëroren dhe të bukurën në art. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos