
Këtë fundjavë, ngriti siparin edicioni i 5 i Festivalit Ballkanik në qytetin e Korçës. Një atmosferë e mrekullueshme në “Teatrin Andon Zako Çajupi”, me grupet që prezantuan kërcimet dhe veshjet karakteristike të vendeve që përfaqësojnë.
Tradita ballkanase bëri bashkë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje Hercegovinën dhe Greqinë. Arjan Alimehmeti njohës i folklorit dhe organizues i këtij festivali shpreson që nisma të zgjerohet me më shumë grupe për argëtim disaditor të artdashësve.
Arjan Avraxi, specialist i folklorit thekson traditën korçare, mbështetja e së cilës në të gjitha kohërat nga pushteti vendor, ka mundësuar vazhdimësinë e vlerave të trashëgimisë kulturore brez pas brezi.
Për Tzoumerkiotis Grigoris, pjesë e ansamblit folklorik të Kozanit të Greqisë, kjo është hera e parë që vjen në Korçë duke përcjellë traditat dhe folklorin e vendit të tij.
Artdashësit korçarë shijuan kërcimet e grupeve në paradën e të premtes në Katedralen e qytetit dhe më pas performancën e grupeve, me shpresën se në të ardhmen do të jenë më shumë. (A2 Televizion)