Krimet seksuale u rritën me 16% vitin e shkuar, organizatat lobojnë për “regjistrim e abuzuesve”

Nga A2 CNN
12 Prill 2022, 19:33 | Sociale

Krimet seksuale u rritën sërish vitin e shkuar. Ndonëse shifrat nuk janë përfaqësuese të gjithë tablosë së fenomenit, të dhënat nga Prokuroria e Përgjithshme tregojnë se gjatë 2021-shit ndodhën 158 abuzime nga 136 në 2020-n.

Abuzimi me të mitur, një shqetësim i përhapur gjerësisht vitet e fundit njohu gjithashtu rritje. Sipas Prokurorisë, vitin e shkuar u regjistruan 25 procedime për abuzim me të mitur, 3 më shumë se në vitin 2020.

Po cilëve faktorë iu dedikohet përhapja e këtij fenomeni negativ? “Njerëzit kanë denoncuar më shumë, janë sensibilizuar më shumë”, thotë Xhesi Shehu aktiviste në fushën e të drejtave të njeriut.

Përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile thonë se ky fenomen mund të parandalohet disi me krijimin e një regjistri të abuzuesve seksualë. Në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të martën, deputetja Erisa Xhixho, teksa diskutohej nevoja për krijimin e këtij regjistri, ngriti shqetësimin se abuzimet seksuale po ndodhin tashmë edhe në ato ambiente që cilësohen si më të sigurtat e mundshme.

Xhesi Shehu, një e re aktiviste e argumenton nevojën e pasjes së këtij regjistri të dhënash me situatën e abuzimeve seksuale në kryeqytet. “Konkretisht në Tiranë ekzistojnë rreth 50 pedofilë, pra persona të dënuar për këtë vepër, por është e pamundur që këta të monitorohen. Ndaj është e rëndësishme të ketë një regjistër për ta”, thotë Shehu.

Ngacmimi seksual ishte edhe fenomeni tjetër me të cilën u përballën kryesisht vajzat në vend vitin e shkuar. Në këtë drejtim u shënuan 68 procedime penale, niveli më i lartë në 5 vitet e fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos