
Pandemia tashmë ka shkaktuar zyrtarisht më shumë se një milion viktima në të gjithë botën. Është kjo e dhëna tragjike e shpërndarë nga universiteti John Hopkins, një nga institutet kryesore që mbledhin të dhënat nga çdo vend i prekur nga COVID-19.
Nga janari, kur zyrtarisht filluan të qarkullonin të dhënat e para, virusit iu deshën 24 javë për të arritur 500 mijë viktimat, në 28 qershor. Kjo shifër u dyfishua sot, por në një kohë të përgjysmuar, 13 javë.
Shtetet e Bashkuara, me më shumë se 205 mijë viktima, mbulon rreth 20% të vdekjeve globale, ndërkohë që shifrat e përhapjes po ngrihen gjithmonë e më shumë edhe pse janë ulur format më të rënda. Për herë të parë nga qershori i errët që përjetuan banorët, Nju Jorku ka shënuar të shtunën e kaluar 1 mijë të infektuar në një ditë.
Situata mbetet e rëndë në Meksikë, Brazil dhe Indi, ku përllogariten rreth 1 mijë të vdekur në ditë, por edhe vende që më parë nuk dukeshin problematikë, si Argjentina dhe që ditët e fundit ka një nga ritmet më të larta të infeksionit nga koronavirusi.
Në Europë, situata po njeh rritje të vazhdueshme, veçanërisht në Britaninë e Madhe, Spanjë dhe Francë, vende që po përgatiten, në qoftë se trendi nuk ulet, për mbyllje të tjera. (A2 Televizion)