
Çmimi i naftës ka rënë në nivelin historik, duke arritur shifra të cilat nuk janë parë prej vitit 2002. Shkak për këtë kolaps është bërë rënia e kërkesës prej pandemisë koronavirus.
Çmimi i një fuçie ka zbritur në 22,58 dollarë, e cila përbën nivelin më të ulët prej nëntorit të vitit 2002. Çmimi i naftës është përgjysmuar vetëm gjatë muajit mars, me kompanitë që kanë mbyllur prodhimin ose punojnë me kapacitete të reduktuara. Përveç uljes së kërkesës, në zhvlerësimin drastik ka ndikuar edhe “lufta” ndërmjet Arabisë Saudite dhe Rusisë. Gjithçka nisi kur shteti arab nuk arriti të bindte Rusinë që të mbështeste uljen e prodhimit, sipas marrëveshjes së arritur me prodhues të tjerë të naftës, anëtarë të OPEC-ut.
Vendimi u mor në një kohë kur rafineritë në të gjithë botën po përpunojnë më pak naftë bruto. Kërkesa e transportit publik ka rënë në mënyrë të dukshme, pasi pjesa më e madhe e fluturimeve në botë janë mbyllur, ndërsa edhe numri i automjeteve që qarkullojnë ka rënë në mënyrë të dukshme, prej rrezikut të përhapjes së virusit të ri korona.
Sipas analistëve, shkak për rënien e çmimit në nivele thuajse historike për dy dekadat e fundit, lidhet kryesisht me uljen e kërkesës për konsum dhe masat drastike të marra nga qeveritë botërore, të cilat janë shoqëruar me kufizime të mëdha të lëvizjes së njerëzve në mbarë globin.
Sipas ekspertëve të kompanisë Morgan Stanley, “çmimi i naftës nuk arriti të mbante ritmin e situatës ku ndodhemi, por mbyllja e rafinerive dhe rënia e kërkesës mund të shkaktojë që bota të mos ketë më stok”.
Një prej vendeve më të goditura nga rënia e çmimit janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (A2 Televizion)