Pandemia frymëzon stilistët: Sezon i çmendur, por duhet të jemi sa më kreativë

Nga A2 CNN
26 Shtator 2020, 14:05 | Showbiz

Viti 2020 ishte menduar krejt ndryshe, për të sjellë trendet dhe koleksionet e reja krejt ndryshe, por ashtu si çdo industri tjetër, edhe ajo e modës është në ngërç. Por për çudi, stilistët e kanë shfrytëzuar periudhën e izolimit për të sjellë koleksione të reja pranverë/verë 2021, krejt ndryshe, në stil, tematikë e ngjyra. 

Mark Badgley dhe James Mischka kanë shfrytëzuar dëshirën e tyre për të udhëtuar, pikërisht si një frymëzim për koleksionin e ri 2021, të cilin për publikun dhe kritikët e prezantuar përmes një video të realizuar në Nju Jork këtë shtator, krejt ndryshe nga pasarelat që kemi parë deri më sot.

"Kemi menduar për vendet që ende nuk kemi vizituar. Përshembull nuk kemi qenë në Greqi, të gjithë ata që unë njoh kanë qenë në Greqi, përveç nesh. Dhe po vdesim që të shkojmë, shpresojmë shumë për vitin tjetër. Shpresonim këtë verë të shkonim në Havana por nuk ndodhi. Kështu që këto ide për të udhëtuar, janë një frymëzim i mirë për ne, për koleksionin tonë. Kemi qenë gjithnjë të frymëzuar nga kopshtet amerikane si kopshti i vjetër “Westbury Garden”, ku edhe xhirimet janë realizuar. Edhe qyteti Savanah në Georgia-s është një frymëzim i jashtëzakonshëm për ne. Janë vendet që ne nuk kemi mundur t’i vizitojmë, ato që na frymëzojnë. Janë në mendjen tonë dhe shpresojmë që përmes këtij koleksioni, edhe klientët tanë të udhëtojnë njësoj si ne”, thotë James Mischka.

Kopshti i vjetër, “Westbury Garden"

Dyshja e stilistëve, që bashkëpunojnë prej dekadash, e solli koleksionin e ri përmes këtyre modeleve, me ngjyrave dhe natyrës në kopshtin publik në Uestbury, në Nju Jork, që konsiderohet një nga mrekullitë e Amerikës. 

"Është një sezon i çmendur. Ka shumë nisje të reja dhe ndalesa”, thotë Badgley.  “Shumë fabrika janë mbyllur”, shton Mischka.

Stilistët kanë sjellë një koleksion me veshje luksoze, veshje për mbrëmje në sallone mondane apo një darkë glamur, me kostume pantallonash me xhaketë e jelekë, xhaketa prej pëlhure apo copa të lehta. Mark dhe James mbeten edhe në këtë koleksion, besnikë ndaj tradicionales së tyre, veshjeve të mbrëmjes, të përshtatshme për të festuar pas heqjes së kufizimeve për shkak të Covid-19.

"Kemi qenë gjithnjë një brend gjithëpërfshirës, jemi munduar t’i japim vajzave tona sa më shumë ngjyra dhe sa më shumë masa, pasi jo të gjithë janë elegantë. Ne duam që të gjithë të vishen me ne, nga masat më të vogla deri tek ato më të mëdhatë. Ndaj, koleksioni ynë ka ardhur si një libër me ngjyra, çdo vit, për çdo vajzë. Këtë vit zgjodhëm vetëm dy modele me ngjyra, ishte shumë bukur. E dashuruam mënyrën sesi ngjyra e lëkurës së tyre përkoi me ngjyrat e këtij koleksioni, që është vërtet i bukur dhe mahnitës”, pohon Mischka.

Të pyetur në qoftë se janë gati për t’ju rikthyer pasarelës dhe shfaqjeve tradicionale të modës, 2 stilistët që koleksionet e reja i organizojnë bashkë prej 33 vitesh, thonë se asnjë video, sado bukur të realizohet, nuk e zëvendëson emocionin e një shfaqje.

Këtë fillim vjeshtë, stilistë të njohur e kanë sjellë koleksionin e ri me video të realizuara në natyrë, madje edhe në kopshtet e shtëpive apo në rrugë

 "Nuk mund ta zëvendësosh kurrë emocionin, atë që të duket sikur do vdesësh, që merr kur je në një shfaqje mode. Kur dritat fiken dhe vajzat ecin mbi pasarelë. Unë dhe James, kemi bërë edhe filma, edhe video, kemi menduar edhe për alternative të tjera por sfilata mbretëron kur është fjala që të tregosh veshjet e tua. Mendoj se ne duhet të rikthehemi sa më shpejt në pasarelë. Shpresoj të mund të kthehemi që në shkurt apo është shumë shpejt? Do jemi në mes të gripit sezonal dhe pandemisë. Shpresojmë që deri shtatorin e ardhshëm, të mund të kthehemi atje ku ishim, të bëjmë gjërat siç jemi mësuar t’i bëjmë”, deklaron Badgley.

"Në këtë periudhë do të na duhet të jemi sa më kreativë. Kemi teknologji të reja, që do të mund ti përdorim në shfaqjet tona, për t’ia ofruar sa më bukur blerësit krijimet tona, në pasarelë, atje ku klienti sheh veshjet në 360 gradë. Aty, mbi pasarelë, klienti mund të shohë koleksionin në detaje dhe jo përmes Zoom-it. Askush nuk blen po nuk e preku atë veshje, atë copë. Edhe pse klientët na besojnë dhe kjo na bën të ndihemi mirë”, thotë Mischka.  

Këtë fillim vjeshtë, edhe stilistë të tjerë të njohur, e kanë sjellë koleksionin e ri pranverë/vjeshtë 2021, përmes rrjeteve sociale, shfaqjeve në internet, për të ruajtur distancimin social, me video të realizuara në natyrë, madje edhe në kopshtet e shtëpive apo në rrugë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos