
Komiteti Teknik i Ekspertëve doli përpara mediave, paraditen e së hënës, për të folur mbi situatën e pandemisë në vendin tonë.
Kryetarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli, theksoi se “mësimi në universitete do të vijojë online”, ndërsa aktualisht nuk po diskutohet për mbylljen e shkollave të sistemit parauniversitar.
“I kemi monitoruar veçanërisht shkollat që nga 14 shtatori. Nuk kemi parë ndonjë ndikim të rëndësishëm në shifrat e pandemisë nga hapja e shkollave. Në shifrat aktuale, nuk diskutohet mbyllja e sistemit parauniversitar”, tha Rakacolli.
“Do të shikojmë nëse është e nevojshme për masa të tjera për frenimin e pandemisë. Themi me forcë se beteja me Covid-19 nuk është thjesht betejë spitalore. Është betejë e të gjithëve, jo vetëm e sistemit spitalor. Vetëm nëse zbatojmë të gjitha masat që i kemi kërkuar vazhdimisht, do ta ndalojmë epideminë. Ende jemi në kushtet që mund ta ndalojmë. Vendimet i marrim nga numrat konkretë”, shtoi Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Ndërsa, sipas shefit të Urgjencës, Skënder Brataj, në vendin tonë aktualisht ka “ulje të telefonatave në numrin 127”. (A2 Televizion)