Më shumë se një shekull pasi hapi dyert për herë të parë, Liceu Francez i Korçës rikthehet në sistemin arsimor shqiptar. Shkolla e parë e mesme laike në vend, e themeluar më 25 tetor të vitit 1917, do të ringrihet përmes një projekti të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Francës, i cili kalon për miratim në Kuvend.
“Liceu i Korçës nuk është thjesht një nostalgji, por është një nga gurët e rëndësishëm të themelit të historisë, kulturës dhe kombit shqiptar, por edhe të arsimit shqiptar. Ishte shkolla që themeloi dhe formoi elitat e gjysmës së parë të shekullit XX, krenaria për të cilat vazhdoi dhe vazhdon ende sot”, tha ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në një intervistë në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN.
“Në vitin 2024, Kuvendi ka miratuar dhe ka kthyer në ligj marrëveshjen midis dy qeverive, asaj shqiptare dhe asaj franceze. Një nga pikat e rëndësishme të kësaj marrëveshjeje është edhe bashkëpunimi për krijimin e institucioneve arsimore në arsimin parauniversitar. Edhe Liceu i Korçës është pjesë e kësaj marrëveshjeje, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të presidentit Emmanuel Macron dhe kryeministrit Edi Rama.
Kështu që puna për këtë projekt, të cilin ne miratojmë sot, ka nisur praktikisht prej gati tre vitesh. Është bërë një punë shumë e madhe gjatë këtyre tre viteve, në zbatim, në radhë të parë, të kësaj marrëveshjeje dhe të vullnetit politik e diplomatik të dy vendeve, por edhe të prioritetit që ne kemi në strategjinë tonë dhe në programin e qeverisë, si në mandatin e tretë, ashtu edhe, akoma më shumë, në këtë mandat të katërt, për ndërkombëtarizimin e arsimit shqiptar dhe jo vetëm të universiteteve”, shtoi Kumbaro.
Kumbaro shpjegoi se në këtë lice do të ofrohen dy diploma, Matura Shqiptare dhe ajo Franceze, që njihet në të gjithë Europën. “Kjo është një risi absolute, sepse është hera e parë që kemi një shkollë publike të mesme që i pajis nxënësit me një diplomë, e cila u jep akses të drejtpërdrejtë në tregun europian, pra jo vetëm atë francez. Risia e dytë është se bëhet fjalë për një shkollë të mesme publike me orientim shkencor dhe teknologjik. Ne nuk e kemi një model të tillë në sistemin tonë. Kemi shkollat profesionale dhe gjimnazet, pra shkollat e mesme të përgjithshme, por nuk kemi shkolla të mesme të orientuara në një drejtim të caktuar. Ky është një model që, në njëfarë mënyre, do të ketë edhe efektin e dallëndyshes së parë, sepse suksesi i këtij projekti, mendoj, do t'u japë mundësi politikëbërësve në fushën e arsimit, në vitet dhe dekadat që vijnë, ta përsërisin edhe me vende të tjera apo me diploma të tjera”, shpjegoi Kumbaro.
Sipas saj kjo do të jetë një shkollë publike falas për nxënësit shqiptarë, e pajisur me konvikt, mensë, auditorë, laboratorë dhe administratë. “Do të jetë një kampus i dedikuar, puna për të cilin ka filluar tashmë”, tha ajo.
“Nxënësit që do të studiojnë aty duhet të plotësojnë disa kritere. Së pari, duhet të jenë të përgatitur për faktin se do të ndjekin një kurrikul të dedikuar, me orientim kryesisht drejt lëndëve të shkencës. Së dyti, mësimi do të zhvillohet në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht. Ashtu siç edhe Liceu i parë Francez i vitit 1917 ruante karakterin e tij origjinal dhe kombëtar, sepse zhvillonte me pedagogë shqiptarë lëndët e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, edhe ky lice do të ketë gjuhën shqipe, letërsinë shqipe dhe historinë në gjuhën shqipe, të zhvilluara nga mësues shqiptarë. Këto do të jenë pjesë e programit të detyruar për Maturën Shtetërore, siç e kemi edhe sot.
Ndërsa lëndët e tjera me karakter shkencor dhe të formimit të përgjithshëm do të zhvillohen në gjuhën frënge. Gjithashtu, do të jetë edhe gjuha angleze, siç është në të gjitha shkollat sot, si një gjuhë e huaj që shoqëron formimin e nxënësit.
Pa diskutim, nxënësi duhet të ketë një nivel të caktuar të njohjes së gjuhës frënge, i cili do të përcaktohet në rregulloren e brendshme të shkollës. Aplikimet do të jenë të hapura për të gjithë nxënësit që përfundojnë arsimin bazë, domethënë arsimin nëntëvjeçar. Ata do të aplikojnë përmes sistemit e-Albania, sipas kritereve që do të përcaktohen në rregulloren e liceut”, shtoi Kumbaro.
Ajo tha se Liceu Francez do të jetë i hapur edhe për nxënës nga rajoni. E pyetur pse duhet që funksionimi i këtij liceu të rregullohet me një ligj të veçantë, ajo u përgjigj: “Ky lice përfaqëson një model ndryshe. Së pari, ka orientim tekniko-shkencor dhe ofron dy modele shkollimi njëkohësisht, me kurrikulat franceze dhe ato shqiptare. Ligji që kemi aktualisht nuk parashikon një gjë të tillë.
Së dyti, kjo shkollë do të ketë mësues francezë për të gjithë kurrikulën franceze dhe mësues shqiptarë. Ligji që kemi parashikon mënyrat e rekrutimit për mësuesit shqiptarë, përmes portalit të mësuesve dhe me kualifikimet shqiptare, por nuk parashikon këtë model të përbashkët.
Ndërkohë, drejtori i shkollës nuk do të jetë një drejtor i përzgjedhur sipas rregullave të zakonshme të arsimit publik shqiptar. Ai do të përzgjidhet përmes një procesi seleksionimi dhe rekrutimi nga Ministria e Arsimit e Francës dhe, për pesë vitet e para, do të paguhet nga kjo ministri.
Zëvendësdrejtori do të jetë shqiptar, pa diskutim, dhe do të përzgjidhet sipas rregullave që kemi, përmes Shkollës së Drejtorëve. Ai do të ketë detyra shumë të qarta. Gjithashtu, shkolla do të ketë tre organe drejtuese, çka nuk është tipike për shkollat e tjera të zakonshme që u përgjigjen kritereve të ligjit të arsimit.
Nga ana tjetër, edhe kostot janë më të larta në këtë shkollë, sepse pedagogët francezë do të paguhen sipas sistemit të tyre të pagave, duke qenë se do të vijnë nga Franca.
Pra, të gjitha këto rregullime, të cilat bëjnë bashkë dy sisteme me gjithë dallimet e tyre, kanë nevojë për një rregullim të posaçëm ligjor”, tregoi Kumbaro.
Ministrja tha se është parashikuar që mësimi në këtë lice të nisë me rreth 100-120 nxënës, për të shkuar deri në 360 nxënës, të cilët duhet t'u përgjigjen këtyre kritereve. “Ata që do ta përfundojnë me sukses shkollën dhe do të përmbushin të dyja detyrimet për të dyja diplomat, do të pajisen me dy diploma që u japin akses në universitetet franceze dhe në universitetet europiane. Mund të konkurrojnë në të gjitha universitetet franceze dhe europiane, por ne kemi edhe një linjë tjetër. Në Universitetin e Korçës kemi Fakultetin e Shkencave Teknologjike dhe të Inovacionit. Në Universitetin Politeknik të Tiranës kemi sërish të njëjtin zinxhir studimesh në tre nivele: bachelor, master dhe doktoraturë”, tha Kumbaro. (A2 Televizion)