Kur kanë kaluar dy vite nga arrestimi i Ilir Metës, GJKKO ka dhënë vendimet e para për personat e përfshirë në dosjen ndaj tij.
Për ish-vjehrrën e tij, Fatime Kryemadhi, e akuzuar për pastrim parash, dënimi u dha me 7 vite e 6 muaj burgim, por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u ul në 5 vite dhe në përfundim u konvertua në 2 vite shërbim prove. Gjithashtu, asaj i ndalohet të mbajë kontakte me persona të dënuar, me përjashtim të familjarëve.
Fajtore u gjet edhe Ema Çoku, me akuzën për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në përfundim, ajo mori masën e shërbimit të provës, me kusht që për 2 vite e 8 muaj të mos kryejë vepër penale, si dhe detyrimin për t'u paraqitur në Policinë Gjyqësore.
I pafajshëm u shpall Piro Xhixho, i akuzuar për korrupsion. GJKKO hoqi çdo masë që ishte vendosur ndaj tij.
Trupa gjykuese rrëzoi gjithashtu kërkesën për konfiskimin e pasurisë së Fatime Kryemadhit.
Procesi ndërkaq vijon me procedurën e zakonshme, me përballjen e provave me Ilir Metën dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. (A2 Televizion)