Pandemia koronavirus, Evropa mes rihapjes dhe frikës për një shpërthim të ri

Nga A2 CNN
21 Prill 2020, 12:36 | Bota
Pandemia koronavirus, Evropa mes rihapjes dhe frikës për një

Shifrat në pandeminë koronavirus nuk janë zeruar ende, por dëshira për t’iu rikthyer normalitetit është e madhe. Shtete të ndryshme të kontinentit evropian kanë përgatitur plane për të nisur lehtësimin gradual të kufizimeve, pavarësisht se Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se është ende herët për këtë.

Gjermania është vendi që ka menaxhuar më së miri pandeminë dhe numëron mbi 147 mijë të infektuar dhe 4900 viktima, një nivel më të ulët vdekshmërie krahasuar me vendet e tjera. Qytete të shumta kanë këshilluar banorët që të përdorin maska në ambiente publike dhe në punë, ndërsa po rihapen dyqanet dhe biznese të tjera. Ndërkohë, Bavaria anuloi festën tradicionale të birrës, të njohur ndryshe si “Oktoberfest”.

Në Spanjë, autoritetet po tregojnë më shumë kujdes, ndërsa bilanci i viktimave nga Covid-19 mbetet akoma i lartë dhe pësoi një rritje të lehtë krahasuar me një ditë më parë. 430 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, me një total fataliteti prej më shumë se 21 mijë viktimash. Që prej shpërthimit të pandemisë, në Spanjë janë infektuar më tepër se 204 mijë persona. Biznese si hotele, bare dhe restorante po shqyrtojnë disa plane për të operuar gjatë sezonit turistik. Po mendohet ndërtimi i dhomave të xhamit e deri tek vendosja e tavolinave në një distance prej 2 metrash.

Franca ende po heziton në rihapjen e ekonomisë përballë shifrave tepër të larta ditore, por izolimi ka nxitur një fenomen tepër negativ. Në lagje të ndryshme të Parisit janë regjistruar raste të shumta vandalizmi dhe trazirash, teksa banorët kërkojnë lehtësim të kufizimeve. Virusi pandemik ka shkaktuar më shumë se 20 mijë viktima dhe ka infektuar mbi 156 mijë persona.

Një tjetër shtet që po tregon shumë kujdes në rihapjen e vendit është dhe Mbretëria e Bashkuar. Një studim i publikuar së fundmi tregon se bilanci i viktimave nga Covid-19 ishte 40% më i lartë se shifrat ditore të raportuara nga qeveria. Britania raporton më shumë se 120 mijë të prekur nga virusi pandemik dhe mbi 16 mijë viktima.

Vetëm shtetet skandinave të Evropës kanë një qasje më të zbutur ndaj emergjencës duke hapur biznese të ndryshme dhe janë në një fazë më të avancuar të rihapjes së ekonomisë dhe kthimit në përditshmëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos