
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) shpreh shqetësimin e saj lidhur me ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, të cilat parashikojnë një rritje të konsiderueshme të barrës tatimore për bizneset dhe ndryshojnë kushtet mbi bazën e të cilave sipërmarrjet kanë ndërtuar planet e tyre të aktivitetit, financimit dhe investimeve.
Përmes një deklarate thuhet se ndryshime të tilla do të dekurajonin investitorët e huaj nga konsiderimi i Shqipërisë për biznese në të ardhmen.
AmCham vlerëson se çdo ndryshim i rëndësishëm në politikat fiskale duhet të mbështetet në një analizë të plotë të ndikimit ekonomik dhe social, në vlerësimin e kostove dhe përfitimeve të pritshme, si dhe në një proces të mirëfilltë konsultimi me komunitetin e biznesit përpara vendimmarrjes përfundimtare.
Dhoma Amerikane e Tregtisë i bën thirrje Qeverisë të rishqyrtojë rritjet e propozuara të barrës tatimore, të publikojë analizat e ndikimit ekonomik dhe social dhe të vlerësojë si alternativë prioritare zgjerimin e bazës tatimore, uljen e informalitetit dhe përmirësimin e administrimit të të ardhurave publike, përpara ndërmarrjes së masave që rrisin normat tatimore. (A2 Televizion)