
I cilësuar si qendra e dytë ekonomike në vend pas Tiranës, Durrësi shumë shpejt u bë edhe një nga vatrat e para të përhapjes së koronavirusit në vendin tonë.
Ende pa iu rikthyer plotësisht normalitetit për shkak të tërmetit të fund nentorit të vitit të kaluar, durrsakët duhej të përshtateshin me një tjetër situatë të pazakontë. Aktiviteti ekonomik, dendësia urbane, lëvizja e njerëzve, por edhe kontaktet më të dendura me Italinë fqinje, nga ku u importua virusi në vendin tonë, ishin ndër shkaqet kryesore të përhapjes së Covid-19 në këtë qytet, ku u identifikuan disa vatra.
Por, si e përjetuan qytetarët durrsakë përhapjen e virusit dhe futjen në një pandemi të paprovuar më parë. A u frikësuan apo u ndërgjegjësuan?
“Na ka ndikuar shumë sepse njerëzit janë të mbyllur, gjithçka organizohet brenda shtëpisë. Kemi rinisur lëvizjet, mundohemi që të ruajmë distancën”, shprehen qytetarët.
Pikërisht në këto zona, drejtuesit e njësive administrative kishin punën më të vështirë jo vetëm të mbanin nën kontroll personat e identifikuar me Covid-19 dhe t’i bindnin që të zbatonin rregullat e vetizolimit, por edhe t’u gjendeshin pranë. Jo vetëm personave të infektuar, por dhe familjarë të tyre të cilët gjithashtu duhej të izoloheshin.
Edhe banorët e këtyre zonave duket se u ndërgjegjësuan duke përshtatuar mënyrën e të jetuarit të tyre.Dhe, siç ka ndodhur me historinë e njerëzimit, jeta do të triumfojë dhe bashkë me të edhe Durrësi. (A2 Televizion)