Pandemia prek fundin, ulen ndjeshëm infektimet, tri qarqe Covid-Free

Nga A2 CNN
14 Qershor 2022, 15:20 | Aktualitet
Pandemia prek fundin, ulen ndjeshëm infektimet, tri qarqe Covid-Free

Pandemia e koronavirusit po prek fundin. Në vendin tonë, infektimet nga Covid-19 janë në shifra shumë të ulëta dhe rastet aktive po e kalojnë lehtë sëmundjen. Deri tani, tri qarqe janë çliruar plotësisht nga virusi. Kukësi, Dibra dhe Lezha prej javësh nuk kanë raste aktive dhe as infektime te reja. Edhe në zonat e tjera të vendit infektimet ditore janë njëshifrore.

Situatë e qetë epidemiologjike reflektohet edhe ne spitalin Covid, ku marrin trajtim vetëm 5 pacientë dhe prej javësh nuk ka humbje jete.

Përmirësimi i situatës epidemiologjike, ka ulur interesin për vaksinën anti-Covid. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, thonë se ky proces duhet të vijojë për t’i paraprirë çdo situate të mundshme në vjeshtë dhe dimër. 

Prej një muaji e gjysmë, Shqipëria ka hequr zyrtarisht të gjitha kufizimet anti-covid. Maska nuk është më e detyrueshme, nuk ka më limite në oraret e lëvizjes së qytetarëve dhe në lokalet e natës. Të gjithë shtetasit që hyjnë në vendin tonë, nuk kanë më nevojë për tampon dhe as certifikatë vaksinimi. Tashmë pritet vetëm OBSH-ja për shpalljen e endemisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos