
Përgjigjja ndaj provokimit të Kim Jong Un, i cili lëshoi një raketë balistike mbi Japoni, erdhi disa orë më vonë; në orët e para të së mërkurës, forcat e armatosura të Seulit njoftuan se bashkë me Shtetet e Bashkuara, kishin lëshuar 4 raketa tokë-tokë, në detin e Japonisë.
Më vonë, ushtria e Koresë së Jugut njoftoi se një raketë e hedhur prej tyre ishte rrëzuar në tokë në Gangneung, në verilindje të vendit. Shpërthimi dhe zjarri që shkaktoi testi i dështuar, shkaktoi panik te qytetarët të cilët menduan se bëhej fjalë për një sulm koreano-verior. U deshën 7 orë që Koreja e Jugut të pranonte incidentin dhe t’i kërkonte falje popullsisë. Siç bëri të ditur, në ngjarje u përfshi një raketë balistike me rreze të shkurtër, Hyumoo-2, e cila sipas ushtrisë së Seulit ishte lëshuar veçmas nga ato që u hodhën me Shtetet e Bashkuara.
“Ajo që po shihni e që patë dje, ishte stërvitje e përbashkët ushtarake mbi detin perëndimor, duke përfshirë dhe Japoninë. Kjo nuk është hera e parë që e bëjmë këtë në përgjigje të provokimeve të veriut, në mënyrë që të tregojmë aftësitë tona të përbashkëta. Ne duam denuklearizimin e gadishullit, por Kim Jong Un po lëviz në drejtimin e kundërt”, tha John Kirby, këshilltar i sigurisë në SHBA.
Testi shënoi stërvitjen e dytë mes aleatëve në 24 orë pasi për herë të parë në 5 vjet, Peniani lëshoi pa paralajmërim një raketë balistike mbi Japoni, në një përshkallëzim të rëndësishëm të programit të testimit bërthamor. Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut u përgjigjën fillimisht me një stërvitje të përbashkët me municione të precizonit të lartë.
Me kërkesën e Shteteve të Bashkuara, dhe mbështetjen e Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Francës, Norvegjisë dhe Irlandës, këshilli i sigurimit do të mblidhet sot për të diskutuar mbi provokimet e Penianit. (A2 Televizion)