Radhë të gjata për të kryer analizat e virusit HIV në Ratodero. Një baba i dëshpëruar, pasi katër nga gjashtë fëmijët e tij kanë rezultuar të infektuar me HIV. Muzaffar Ghanghro, pediatri i akuzuar për neglizhencë dhe vrasje nga pakujdesia. Fëmijët vizitohen te një pediatër në Ratodero, Pakistan. Një pjesëtare e skuadrës së UNICEF shpërndan informacion mbi HIV-in dhe SIDA-n, në Subhani Shar, një fshat në afërsi të Ratoderos. “Rafti” i ilaçeve në një shtëpi në Ratodero. Shumica e familjeve atje fitojnë më pak se 60 dollarë në muaj.
Rreth 900 fëmijë në një qytet të vogël Ratodero në Pakistan kanë rezultuar të infektuar me HIV, virusin që shkakton sëmundjen e SIDA-s. Prej disa muajsh qyteti është vënë në karantinë nga autoritetet të cilët kanë fajësuar një pediatër të vetëm për përhapjen e virusit.
Por pavarësisht kësaj, rreth 1100 persona kanë rezultuar të infektuar, thuajse 900 prej tyre nën 12 vjeç. Autoritetet madje besojnë se shifra mund të jetë edhe më e lartë, pasi jo të gjithë kanë kryer analizat.
Gulbahar Shaikh, një gazetar vendas që përhapi i pari lajmin, pasi edhe një prej vajzave të tij ishte infektuar, tha për “New York Times” se pjesa dërrmuese e fëmijëve me virus vizitoheshin tek i njëjti pediatër, Muzaffar Ghanghro. Ai ishte një prej mjekëve për fëmijë më të lirë në qytetin me 200 mijë banorë, pasi merrte 20 cent për vizitë, në një vend ku pjesa dërrmuese e familjeve fitojnë më pak se 60 dollarë në muaj.
Pediatri Ghanghro është arrestuar dhe akuzuar nga policia për neglizhencë dhe vrasje nga pakujdesia, por ai pretendon se nuk ka punuar kurrë me shiringa të përdorura. Zyrtarë shtetërorë thanë se ai nuk është shkaktari i vetëm, pasi në qytetin e varfër, edhe berberët përdorin të njëjtin brisk te klientët, edhe dentistët shpesh nuk i sterilizojnë pajisjet.
Nga viti 2010 deri në vitin 2018, numri i personave të infektuar me HIV në Pakistan thuajse është dyfishuar, duke arritur në 160 000 persona, sipas UNAIDS, skuadrës së OKB të specializuar mbi HIV-in dhe SIDA-n. (A2 Televizion)