
Rusia reagon lidhur me vdekjen e liderit të ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi, të njoftuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se Uashingtoni nuk ka prezantuar asnjë provë të besueshme për vdekjen e Al Bagdadit.
Moska shton dhe më tej dyshimet duke mohuar pjesëmarrjen në operacionin e kryer nga ushtria amerikan në territorin Sirian. Më herët presidenti, Donald Trump falenderoi publikisht Rusinë për kontributin e dhënë në aksionin ushtarak kundër liderit të ISIS.
Sipas të dhënave të mediave ndërkombëtare, disa të konfirmuara dhe nga ushtria, kreu i ashtuquajturit “Kalifati islamik” hodhi veten në erë sapo pikasi se ishte rrethuar nga ushtarët. Bashkë me të humbën jetën dhe dy gratë e tij dhe raportohet se fëmijët kanë mbetur të paprekur.
Njeriu më i kërkuar në planet në 5 vitet e fundit aktivizoi një xhup me eksploziv, në shtëpinë ku fshihej në fshatin Brisha të provincës Idlib, i cili shkaktoi një shpërthim të fuqishëm. Mësohet se al Baghdadi kishte mbërritur në vendin ku ndodhi operacioni i ushtrisë amerikane vetëm 48 orë më parë, duke nënkuptuar kështu se prej kohësh ishte në survejim. Në aksionin për vrasjen e tij kontribuuan dhe shërbimet inteligjente turke dhe ato irakiane. (A2 Televizion)