
Në emisionin Debat me Alba Alishanin në A2 CNN, analisti Mentor Kikia u shpreh se qeveria prodhon frikë në mënyrë artificiale, në mënyrë që qytetarët të qëndrojnë të kënaqur dhe të mos kërkojnë më shumë, teksa këtu iu referua rritjes së çmimeve dhe paralajmërimit për rritjen e mëtejshme të tyre.
“Kjo është industria e komunikimit publik, e cila është shndërruar sot, jo thjesht në Shqipëri, në mjetin më të rëndësishëm, është ministria më e rëndësishme e qeverive. Kur flasim për komunikim ne kuptojmë shitjen bukur të produktit, të suksesit të qeverisë, por komunikimi është më i thellë sesa kaq. Ka të paktën tri arsye ku qeveria ku qeveria hedh paraprakisht një paralajmërim, një projekt, një ide, për atë që pritet të ndodhë. E para është testimi i impulsit të shoqërisë. Si do ta presë publiku? Edhe pse ne nuk dallohemi për ndonjë reagim të ashpër, kjo tashmë është një praktikë që ka të bëjë me një lloj testimi të reagimit publik. Nuk është vetëm kjo, pasi po shndërrohet në një praktikë qeverisëse edhe paralajmërimi i rrem. Qeveria hedh në konsum publik një ide që nuk ka në plan të zbatojë. Kjo ka të bëjë me ngjarje që nëse do të zbatoheshin do të kishin një efekt negativ në jetën e komunitetit. Këtu mund të jetë rritja e çmimit të energjisë apo vaksinimi i detyruar. Në këtë rast, qeveria paralajmëron se do të ndodhë një gjë e keqe, por nuk ndodh. Populli këtu gjendet në një lloj trysnie. Prodhohet një frikë në mënyrë artificiale, në mënyrë që qytetarët të jenë të lumtur kur qeveria të thotë kjo gjë nuk do të bëhet. Pra, të mos kërkojnë më shumë nga çfarë kanë, por të jenë të lumtur që nuk do të bëhet më keq. Kjo është një lojë psikologjike me njerëzit. Nëse qytetarët do të jenë të lumtur me standardin që kanë dhe nuk do të paralajmërohen për përkeqësime, do të fillojnë të kërkojnë më shumë. Në fakt, kur qytetarët ankohen që çmimet janë të larta dhe qeveria befas paralajmëron se këto mund të bëhen edhe më të larta, atëherë qytetarët do të thonë le të mbeten kështu siç janë”, u shpreh Kikia.
Ndërkohë, analisti Alfred Lela u shpreh se të gjitha këto përdoren për të zbutur propozimin ose për të vazhduar më tej me të gjithë forcën e tij
“Teknika është e vjetër, është e importuar. Amerikanët e kanë përdorur herët, që në fillim të viteve ’90, britanikët gjithashtu. Kjo është një nga mënyrat e të qeverisurit me kujdes. Ti parahedh një ide dhe e teston si pritet, ka zhurmë apo jo, cili është reagimi. Të gjitha këto përdoren për të zbutur propozimin ose për të vazhduar më tej me të gjithë forcën e tij. Edhe Rama e bën këtë. Shembulli më klasik janë armët kimike dhe taksa në rrugën e Kombit, e cila dhe ajo u përgjysmua, të paktën iu bë një lëshim kuksianëve”. (A2 Televizion)