
“Në fjalimet e mia nuk do të gjendet asnjë rast kur unë një person ta kem etiketuar personalisht si kriminel apo si hajdut. Jo se nuk kam pasur përballë të tillë , po është gjuhë shumë e ulët, për lartësinë që unë synoj kur flas dhe për respektin që unë kam për njerëzit dhe veten dhe për ata që na kanë zgjedhur. Unë nuk e ul dot veten në atë nivel ku fjala e fundit e rrugës është bërë kryefjalë e opozitarizmit në këtë vend”. Ishte kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama që u bë shkak për replikë nga kreu demokrat Lulzim Basha. Nga foltorja e Kuvendit ai akuzoi Ramën se ka lidhje më kriminelët dhe i ka sjellë ata në parlament, ndërsa e akuzoi kryeministrin edhe për sadist në sjelljet njerëzore.
“Ku ta ulësh më shumë veten seç e ke ulur. Ti je një sadist që torturon njerëzit që rrinë në paradhomën tënde, në kabinetin tënd, apo parlamentin e qytetarët. Ti kënaqesh duke u shkaktuar vuajtje pafund. Ti kërcënon dhe pasi ke bërë të gjitha këto thua po ta ul pak. Edhe këtu je kopjac i Enver Hoxhës. Sadizmi politik ishte sistemi politik që mbante Enver Hoxha për të torturuar shqiptarët. Fakti është që me kriminelët ke hyrë në politikë, i mban në krah nga Tirana në Dhërmi në dreka e darka dhe këtë e dinë të gjithë elita e PS profesorë e intelektualë të majtë, kundërshtarë në bindje por jo njerëz të lidhur me krimin që i ke zëvendësuar me anonimë. Në disa raste as ke pyetur fare por janë në këtë sallë në zona mjerane si Fushë Kruja jo për virtytin, por për terrorin e banorëve të pafajshëm. Të diktojnë lejet e ndërtimit dhe gropat që hapen në Tiranë për paratë e pista të korrupsionit. Nuk e ul dot veten ti? S’ke ku te biesh më poshtë je në rrethin e 9 të banalitetit njerëzor të mungesës së integritetit, të mungesës së një fije burrërie. Të gjithë jemi mëkatarë por të paktën njëherë në jetën tënde të kërkosh ndjesë për mëkatet e pafundme”. (A2 Televizion)