Paralajmërimi i avokatit: Lefter Koka është i sëmurë, por gjallë. Do të dalin fakte që nuk i keni dëgjuar deri tani

Nga A2 CNN
17 Tetor 2022, 11:45 | Aktualitet
Paralajmërimi i avokatit: Lefter Koka është i sëmurë,

Pas betejave të dështuara në të tre shkallët e gjyqësorit për lirim nga qelitë e paraburgimit, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, po bën përpjekjen e radhës në Gjykatën e Posaçme. Koka kërkon zbutje të masës “arrest me burg” për hetimin e inceneratorit të Elbasanit, për shkak të problemeve shëndetësore.

Por vetëm pak ditë më parë Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e ish-ministrit për ndryshimin e të njëjtës masë sigurie për inceneratorin e Fierit, pavarësisht se administroi një akt-ekspertim mjeko ligjor, sipas të cilit, ish-zyrtari i lartë ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Vendimi ngjalli reagim të avokatëve, që do të kërkojnë mbyllje të hetimit dhe kalim të dosjes në gjykim.

https://a2news.com/2022/10/07/refuzohet-kerkesa-e-lefter-kokes-per-lirim/

Me këtë rast ata përcollën dhe një mesazh publik se në proces do të dëgjohen fakte të padëgjuara më parë.

“Sot ishte kërkesa e dytë për zëvendësimin e masës së sigurimit, ai është në kushte të rënduara shëndetësore. Gjendja e tij nuk mund të vazhdojë në paraburgim, por gjykata mori edhe rolin e mjekut dhe ekspertëve dhe vendosi të rrëzonte kërkesën. Kemi 9 seanca për një vendimmarrje. Seanca e radhës është më 7 nëntor. Në këto kushte, do të kërkojmë që çështja të shkojë në gjyq në themel. I vetmi person që u ndalua në shtëpinë e tij, e priti me qetësi hetimin, por janë më shumë se 10 muaj, në ato kushte ai sot do të ishte i lirë. Është i sëmurë, por gjallë dhe do të japë mbrojtjen e tij. Nuk mund të zgjatet më, sepse mbajtja në burg në këtë mënyrë në kushte të rënduara shëndetësore është tërësisht e padrejtë. Në gjykimin e themelit do të dëgjoni të vërtetën e zotit Koka, fakte dhe argumente që nuk i keni dëgjuar deri tani, të cilat deri më sot janë bazuar vetëm në atë kallëzim politik dhe vendimmarrjet e gjykatave duket se kanë zgjedhur vetëm rrugën politike”.

Në seancën e të hënës për ndryshimin e masës “arrest në burg” për inceneratorin e Elbasanit gjykata i dha detyrat tre ekspertëve, që do të verifikojnë gjendjen shëndetësore të ish-ministrit.

Koka qëndron në qeli prej dhjetorit, pas dyshimeve për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” dhe “pastrim parash” në procedurat koncesionare të inceneratorit të Elbasanit e të Fierit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/06/19/arsyetimi-i-gjykates-se-larte-pse-u-la-ne-sekuestro-pasuria-e-lefter-kokes-ne-kantinen-e-veres/
https://a2news.com/video/arrestimi-i-lefter-kokes-tenderat-e-inceneratoreve-dhe-roli-i-ish-ministrit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos