Bota është mjerisht e papërgatitur të përballet me pasojat shkatërrimtare të ndryshimeve klimatike, në malet më të larta të rajonit, thonë ekspertët e Organizatës Botërore Meteorologjike. Zyrtarët, shkencëtarët dhe ekspertët janë mbledhur në Gjenevë këtë javë, për samitin e Organizatës Botërore të Meteorologjisë, për të mbledhur bashkë të dhënat shkencore dhe për të kërkuar zgjidhje për malet, që sigurojnë më shumë se gjysmën e furnizimit të botës me ujë.
Me temperaturat gjithnjë në rritje, akullnajat po shkrihen, duke shkaktuar ndryshime në modelin e reshjeve dhe nivelit të lumenjve që prekin vendet në mënyrë të pabarabartë ,e duke e shndërruar furnizimin e botës me ujë gjithnjë e më shumë të paparashikueshëm.

Edhe rreziqet natyrore po rriten gjithashtu, përmbytjet dhe ortekët po ashtu. Zvicra është një nga vendet më të prekura, duke regjistruar rritje të temperaturave me 2 gradë mbi mesataren, që ka çuar në zhdukjen e 500 akullnajave përqark vendit që prej vitit 1850. Infrastruktura e ndërtuar në shekullin e 19 dhe 20, ka ndryshuar që nga ajo kohë, thekson John Pomeroy, kreu i burimeve ujore dhe ndryshimeve klimatike që drejton këtë samit.
“Mjerisht, jemi të papërgatitur. Infrastruktura jonë është ndërtuar në shekullin e 19 dhe 20 në male por sot ne nuk kemi të njëjtën klimë si në atë kohë. Ndaj, mund të kemi reshje intensive në mes të stinës së dimrit, sikurse mund të kemi edhe thatësira të jashtëzakonshme. Mund të kemi edhe përmbytje, herë të përsëritura e herë të padëgjuara ndonjëherë. Kjo ndikon në shëndetin e njerëzve dhe aftësive të komuniteteve këtu që të jenë të pavarur”, thotë John Pomeroy, kreu i Burimeve Ujore dhe Ndryshimeve Klimatike.

“Të duket sikur po humbet shtëpinë tënde. Dëbora që shkrin e lumenjtë e tej fryrë, shkrirja e akullnajave, thellësia e borës, gjithçka me të cilën ne jemi mësuar duke udhëtuar në male, po ndryshon vit pas viti dhe vetë jeta në këto rajone po ndryshon. Ndaj duket sikur po humbasin shtëpinë. Një shkencëtar më tha se sa mahnitëse i dukej e gjitha kjo por ishte njëkohësisht edhe i tmerruar sepse ne ende nuk njohim tërësisht sistemin e maleve. Ne nuk mund të bëjmë parashikime mbi këto ndryshime të shpejta në të ardhmen dhe është një sfidë e jashtëzakonshme. Nuk kemi më kohë”.
Bashkëdrejtuesja tjetër e samitit, drejtorja ekzekutive e iniciativës për kërkime malore në Universitetin e Bernës, thotë se shtetet pjesëmarrëse duhet të përmirësojnë sistemin e të dhënave dhe ta ndajnë mes tyre, në qoftë se duan të shmangin konfliktin mbi burimet ujore, pasi ndryshimet klimatike shkaktojnë efekte të paparashikueshme në furnizimin me ujë.
“Po, potenciali për konflikt ekziston dhe fatkeqësisht, e kemi parë të ndodhë në shumë vende të botës. Ndaj duhet të jemi të ndërgjegjshëm se komuniteti i kërkuesve duhet të angazhojë edhe ata që ne i njohim si diplomacia shkencore, që të ulen në dialog dhe të flasin për alternativat”, tha Carolina Adler, drejtoresha ekzekutive e iniciativës për Kërkimet Malore.
Vetë sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike Petteri Taalas nxit shtete që të jenë më ambicioze, pasi ende nuk është bërë asgjë për marrëveshjen e klimës në Paris.

“Kjo është çështja, nuk mund të presim më shumë, duhet të fillojmë të veprojmë dhe të reagojmë brenda gjysmës së parë të këtij shekulli. Trendi negativ i shkrirjes së akujve dhe akullnajave do të vazhdojë edhe për shumë dekada, së paku për 50 vitet në vijim por ne duhet të stabilizojmë situatën. Por deri më tani, nuk kemi qenë mjaftueshëm ambiciozë për të arritur targetin e vendosur prej 1.5 deri në 5 gradë, sipas marrëveshjes së Parisit. Po shkojmë drejt një ngrohje globale 3-5 gradë mbi mesataren, deri në fund të këtij shekulli”, tha Taalas. (A2 Televizion)