
“Tërheqja e forcave të armatosura kurde nga një rrip prej 30 kilometrash, ku do të krijohet një zonë e sigurt, ka përfunduar më herët nga ç’ishte planifikuar. Roje kufitare siriane dhe trupat ruse kanë hyrë në zone”, deklaroi Sergei Shoigu, Ministri rus i Mbrojtjes.
Njoftimi i Rusisë erdhi në prag të skadimit të armëpushimit në Sirinë veriore, të dakordësuar në Soçi mes presidentëve Rexhep Tayp Erdogan dhe Vladimir Putin. Por tjetër situatë paraqiti presidenti turk. Duke pohuar se tërheqja e kurdëve nuk ka përfunduar ende, Erdogan ripërtëriu paralajmërimin për një kundërpërgjigje të fortë.
“Në përfundim të periudhës së armëpushimit, fatkeqësisht, sulmet e terroristëve kundër ushtarëve tanë dhe ushtrisë siriane vazhdojnë. Me lejoni të jem i qartë. Ne do të hakmerremi në mënyrë të ashpër dhe do të zgjerojmë zonën nëse do të jetë e nevojshme”, u shpreh Erdogan.
Të premten, sipas Erdogan do të nisin patrullimet e përbashkëta mes forcave turke e ruse në një territor prej 10 km në anën siriane të kufirit. Imazhe të transmetuara nga televizioni Kurdiastan 24 tregojnë atë që duket të jetë një sulm ndaj një automjeti ushtarak rus pranë kufirit me Turqinë. Anakaraja njoftoi arrestimin e 18 ushtarëve sirianë në qytetin e Ras al-Ayn, i pushtuar nga forcat turke javën e kaluar. Për zgjidhjen e çështjes po ndërmjetësojnë funksionarët rusë. (A2 Televizion)