Alarmi i ri i shkencëtarëve, niveli i detit rritet deri në 2 metra për 3 dekada

Nga A2 CNN
30 Tetor 2019, 19:43 | Bota
Alarmi i ri i shkencëtarëve, niveli i detit rritet deri në 2

Miliona njerëz rrezikojnë të humbasin shtëpitë e tyre, pasi qytete të tëra pritet të zhyten nën ujë nga rritja e nivelit të detit. Kjo pritet të ndodhë gjatë 3 dekadave të ardhshme, sipas një alarmi të ri të lëshuar nga shkencëtarët. Studimi i publikuar në revistën “Komunikime të Natyrës”, zbuloi se me intesifikimin e krizës klimatike, nivelet e deteve pritet të rriten mes 60 centimetrave dhe 2.1 metrave. Këto shifra mund të jenë edhe më të larta, gjatë shekullit të 21.

“Studimet e mëparshme u mbështetën për fat të keq në të dhënat e bazuara në matjet nga satelitët, të cilat nuk mund të dallonin ndërtesat nga toka. Ne zhvilluam një analizë dhe zbuluam se ato të dhëna e konsideronin terrenin dy metra më të lartë nga se është realisht. Ky është një problem shumë i madh në kuptimin e cenueshmërisë nga përmbytjet me rritjen e nivelit të deteve”, u shpreh Ben Strauss, shkencëtar në “Qendrën për klimën”

Zbulimet janë bazuar në të dhënat e përfituara nga inteligjenca artificiale, duke trefishuar vlerësimet e kaluara për territorin dhe popullatën që rrezikohej. Ekspertët ndërkombëtarë nxisin rajonet që mund të preken që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shmangur katastrofat humanitare dhe ekonomike. Mënyra më e mirë për ta luftuar këtë është ngadalësimi i ngrohjes globale.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos