
“Koronavirusi do të infektojë rreth 70% të gjermanëve”. Ky ishte paralajmërimi i sotëm i kancelares gjermane Angela Merkel, ndërkohë që virusi i ri po “mbërthen” Evropën.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të partisë Bashkimi Kristian-Demokrat, Merkel shprehu frikën se mund të preken rreth 58 milionë gjermanë. Sipas “Bild”, kur tha këto fjalë, mes politikanëve në mbledhje ra heshtja.
Ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, konfirmoi shifrat e kancelares nëse vaksina nuk zhvillohet përpara se koronavirusi të përhapet gjerësisht në Evropë.
Deri më sot, Gjermania me 82,9 milionë banorë ka të regjistruar vetëm 2 viktima nga koronavirusi.
Sipas OBSH-së, koronavirusi gjendet në 30 vende të Evropës, ku janë regjistruar më shumë se 17 000 raste dhe janë shënuar mbi 700 viktima.
Në Shqipëri, rastet e konfirmuara me koronavirus janë 10. (A2 Televizion)