
Bota ka ende shumë rrugë për të bërë, në përpjekjen për t’i dhënë fund pandemisë së Covid-19, por sëmundja vdekjeprurëse sipas OBSH-së, mund të vihet nën kontroll përmes bashkëpunimit për vaksinimin, e parandalimin e epidemive rreth globit. Gjatë një konference në Gjenevë të hënën, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se prej 7 javësh po dëshmonin rritje të rasteve, dhe se java e fundit u bë e katërta me numrin më të lartë të infektimeve që prej shpërthimit të pandemisë. Gjithashtu, vdekjet po rriten prej 4 javësh.
“Kjo pandemi është ende shumë larg fundit. Por ne kemi shumë arsye për optimizëm. Rënia e rasteve dhe vdekjeve gjatë dy muajve të parë të vitit tregoi se virusi dhe variantet e tij mund të ndalohen. Me një përpjekje të përqendruar për të aplikuar masa të shëndetit publik bashkë me vaksinimin e barabartë ne mund ta vëmë këtë pandemi nën kontroll”.
Ekspertja e OBSH-së, Maria Van Kerhove raportoi se bota kishte regjistruar më shumë se 4.4 milionë raste të konfirmuara nga 4 deri në 11 prill, 9 për qind më shumë se javën e kaluar. Vdekjet u rritën me 5 për qind. Siç thuhet, shumë prej të infektuarve me koronavirus, përfshirë ata me forma të lehta, kanë përjetuar simptoma afatgjata, përfshirë lodhje, marrje mendsh, pagjumësi, dhimbje kyçesh apo kraharori.
“Kjo sëmundje nuk është grip. Persona të rinj kanë vdekur. Dhe ne ende nuk i dimë pasojat afatgjata të infektimit te personat e mbijetuar”.
Koronavirusi i ka kushtuar jetën më shumë se 1 milion njerëzve në Europë, kontinenti më i goditur nga pandemia në botë. (A2 Televizion)